8 marsi është një ditë e shënuar për çdo grua, por në veçanti për ato gra, jeta e të cilave rrezikohet çdo ditë prej dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore. E së fundi, edhe prej dhunës dhe bullizmit në internet, siç kemi dëshmuar vitin e fundit me dhjetra raste, kur ka pasur edhe nga ato që i kanë dhënë fund jetës së tyre në kushte të vështira psikologjike. Këto janë gra për të cilat jeta është një e tatëpjetë e vështirë, që po jetojnë momente të errëta në jetën e tyre dhe kanë nevojë për një rreze shpresë.
Ndaj Vodafone Albania dhe Vodafone Albania Foundation organizuan edhe këtë vit, njësoj si vitin e kaluar, një event hiking me misionin për të mbledhur fonde për një strehëz që përkujdeset për vajzat e gratë në kushte të vështira, siç është “Shtëpia Rozalba”, në Lezhë.
Si shteg u përzgjodh sërish Mali i Dajtit por këtë herë, ngritja e fondeve u arrit edhe falë kontributit të dhjetra qytetarëve që u bënë pjesë e hiking-ut përmes një pagese modeste. Në bashkëpunim me platformën “Smile” nga Credins Bank, Vodafone Albania Foundation ka arritur të sigurojë më shumë se 5,000 euro për “Shtëpinë Rozalba”, në Lezhë.
Pjesë e hiking u bënë personalitete nga politika, përfaqësues të qeverisë, si Romina Kuko, zëvendës ministre e Punëve të Brendshme dhe Kryetare e Këshillit Bashkiak, znj. Elvana Hana, Drejtore Ekzekutive e Fondacionit “Credins”, përfaqësues të organizatave si Michelle Ribotta nga UN Women Albania, por edhe personazhe të medias si Erla Mëhilli, moderatore dhe autore e “Now” në Euronews, Isli Islami, Deborah Keçi dhe Anxhi Çeliku.