Fermerët të cilët bashkohen do të marrin më shumë para nga skema kombëtare e subvencioneve për vitin 2024. Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj tha se aplikimet për mbështetjen do të hapen në 27 mars duke u shpjeguar fermerëve se pse kanë më shumë leverdi nëse bashkohen dhe kultivojnë të njëjtin produkt bashkarisht.
“Këtë vit Skema e Subvencioneve ka përfitim më të lartë për çdo aplikues, kjo falë prioritizimit që bëhet nëpërmjet bashkimit të operatorëve, një kontratë mes fermerësh për të realizuar të njëjtin produkt drejt të njëjtit treg dhe të njëjtin protokoll sanitar. Për ta konkretizuar: nëse 4 anëtarë janë bashkë me një sipërfaqe toke 1 hektar ata marrin secili prej tyre në llogari të veçantë masën e financimit në nivelin maksimal. Ky bashkim operatorësh nuk nënkupton bashkim pronash, por bashkim interesash dhe prodhimi, sepse vetëm kështu ne mund të rrisim shkallën, të rrisim automatizim të produktit dhe mbi të gjitha të synojmë të njëjtin treg. Skema Kombëtare e këtij viti aplikohet pa tavane. Tavane, të cilat më parë limitonin aplikimin për më shumë se sa për shembull 300 krerë bagëti nuk ekziston. Ne do të japim 50% të financimit të çdo mase për çdo krerë bagëti mbi 300, e kështu nxisim më shumë rritjen e tufave dhe punojmë për të realizuar një ekonomi shkalle akoma më të lartë.”
Po ashtu ndryshime ka edhe skema e naftës, ku paratë do të kalojnë direkt në llogarinë e fermerëve.
“Nafta është një komponent shumë i rëndësishëm i Skemës Kombëtare, e thënë ndryshe subvencioni i drejtëpërdrejtë që fermerët marrin prej mëse tre vitesh. Këtë vit vendosëm që falë edhe kërkesave të shumë aplikuesve të largonim burokracitë, kohën e tepërt dhe ta rimbursojmë atë drejtpërdrejtë në llogari. Kjo do të realizohet gjatë gjithë vitit duke synuar edhe formalizim më të lartë të fermerëve në këtë Skemë”.
Këtë vit synohet që numri i përfituesve të shkojë në 70 mijë fermerë apo rreth 77% të të gjithë fermerëve të regjistruar me NIPT në Shqipëri.