Eksportet e kompanive shqiptare në shkurt ishin 60 milionë dollarë më të ulëta se sa shkurti i vitit të kaluar duke rënë me mbi 16 për qind. Sipas INSTAT, gjatë muajit që lamë pas kompanitë shqiptare eksportuan në tregjet e huaja 32 miliardë lekë mallra, nga 38 miliardë lekë që ishte shifra në shkurtin e vitit të kaluar. Dhe kjo nuk është një rënie e shkëputur, por konfirmim i një trendi.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se aktualisht Shqipëria po eksporton jashtë më pak edhe se sa dy vjet më parë, cka përbën një rekord të paprecedentë negativ. Në shkurt të vitit 2022, Shqipëria eksportonte 37 miliardë lekë mallra jashtë ose gati 14 për qind më shumë se sa shkurti i këtij viti. Statistikat e detajuara tregojnë se rënia e eksporteve po diktohet nga një krizë e thellë e manifakturës dhe prodhimit industrial.
Sipas INSTAT, kontributin më të madh në rënien e eksporteve e kane mallrat e grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -7,7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,5 pikë përqindje dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,3 pikë përqindje etj. Praktikisht e gjithë shtylla industriale e vendit. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,4 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +0,1 pikë përqindje.
Në këtë dymujor eksportet e mallrave arritën vlerën 62 mld lekë, duke u ulur me 23 për qind krahasuar me janar-shkurtin e një viti më parë.
Manifaktura në agoni
Në shkurt, eksportet e tekstile e këpucë, grupi më i madh eksportues në vend (me 30% të totalit), ranë me 15.7%. Për dy mujorin tkurrja është 17.6%.
Prej disa muajsh industria po kalon një periudhë të vështire e ndikuar nga rritja e kostove duke bërë që kërkesa të zhvendoset në Lindjen e Mesme. Një nga faktorët me ndikimin më të madh në agoninë e manifakturës ka qenë kursi i këmbimit euro lek. Rënia e fortë e euros ndaj lekut godet në zemër aktivitetin e fasonit për shkak se të ardhurat i ka në euro, ndërsa shpenzimet në lekë. Aktualisht një euro këmbehet me më pak se 104 lekë, nga 116 lekë që ishte në shkurt 2023.
Sipas biznesve të fasonit, kjo situatë po detyron shumë fabrika të mbyllen. Falimentet më të mëdha kanë ndodhur në rrethe dhe në fabrika që kishin të punësuar nën 120 punonjës, që punonin kryesisht me nënkontraktim, të cilat kishin norma më të ulëta fitimi dhe nuk ishin në gjendje të përballonin krizën.
“Materialet e ndërtimit dhe metalet” kaluan në grupin e dytë më të madh në vend për dy mujorin, me 19.4% të totalit. Ky grup ndikohet nga ecuria e Kurum, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend. Në shkurt ky grup ra me 11.8%, ndërsa për 2 mujorin tkurrja është 17.1%. Sektori po vuan nga kërkesa e dobët rajonale dhe tkurrja e çmimeve.
Minerale, lëndë djegëse, energji me rënie të fortë
“Minerale, lëndë djegëse, energji” kaloi në grupin e tretë më të madh në vend, me 18.8% të totalit, si rrjedhojë e tkurrjes së fortë në muajt e parë të vitit. Në shkurt grupi i reduktoi shitjet me 33%, ndërsa për 2 mujorin rënia është 49%, e ndikuar nga ecuria negative në janar. Ecuria e këtij grupi është e varur nga shitjet e Bankers Petroleum, energjisë elektrike, por edhe eksportet e kromit. Të gjitha këto janë në rënie të pandalshme.