Zëvendëskryeministrja e vendit njëherësh edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi sot nënshkrimin e marrëveshjes me Bankën Europiane të Investimeve, në lidhje me projektin e ndërtimit të linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.
“Një linjë me gjatësi 120 kilometra, me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin, i cili do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, por edhe të mallrave,” theksoi ministrja.
Balluku theksoi se pas segmentit Tiranë-Durrës me degëzim në Rinas, Vorë-Hani i Hotit është projekti i dytë madhor i Qeverisë Shqiptare në transportin hekurudhor.
“BEI mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm për jetësimin e disa projekteve strategjike të infrastrukturës rrugore e hekurudhore”, u shpreh ajo.
Hekurudha Vorë-Hani i Hotit pritet të përfundojë në viti 2029. Ajo do të kushtojë 356 milionë euro dhe vlerësohet se do të transportojë rreth 2.3 milionë pasagjerë në vit.