19 Prill, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ashpërsohet lufta e klaneve në PS/ Spartak Braho sulmon Belinda Ballukun: Nuk është e pastër

Ish deputeti Spartak Braho ka qenë i ftuar ditën e sotme në emisionin “Breaking” me Fiori Dardhën në Top News ku ka folur për politikën e ditës dhe ka analizuar disa ngjarje.

I pyetur nga moderatorja Dardha për arrestimet dhe procedimet e fundit të SPAK-ut ndaj eksponentëve të Partisë Socialiste ai tha se Rama ka gabuar në emërimin e shumë prej tyre dhe cilësoi se në bindjen e tij “Balluku nuk është e pastër në punën që bën” dhe se “duhet të përgjigjet për pastërtinë e figurës së saj”.

“Kryeministri ka bërë zgjedhje të gabuara në aktivizimin në qeverinë e tij të personave të veçantë, të cilët me oreksin e madh për të përfituar në rrugë korruptive, janë ngjyer keqazi. Mos të rendisim listën, por një zv.kryeministër iku, tjetra është në prag të procedimit penal.

Ishte një lajm dje që Balluku është në hetim nga SPAK. Kam patur bindjen që kjo Balluku nuk është e pastër në punën e saj, aq më tepër që rrethi i ngushtë i saj, një pjesë janë të burgosur e arrestuar një pjesë do të shkojnë patjetër.

Le të shkojë dhe Balluku, ta provojë një herë atë derë sepse duhet të përgjigjet për pastërtinë e figurës së saj. Por ajo që ka më shumë rëndësi është se përgjegjësia e tyre është personale, penale, politike por përgjegjësi ka dhe kryeministri. Kush i vuri këta? Kush i zgjodhi?

Në politikën e emërimeve Rama ka gabuar, ka bërë emërime të nxituara për të zgjidhur ato ide që ai ka në kokën e tij. Në thelb janë stimuluar projektet dhe ka qenë një iniciativë e mirë, por nuk ka kontrolluar ata që ka vënë në zhvillimin e këtyre projekteve. Ata që ka në qeveri sot, shumica janë të përgojuar”, tha Braho.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *