24 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Bomba e Këlliçit: Veliaj ka komunikuar me drejtorët në aplikacionin sekret, bisedat i ka SPAK! Flitej për tendera dhe para

Belind Këlliçi ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka folur për arrestimin e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës me urdhër të SPAK.

Këlliçi tha se në aplikacionin sekret që përdorej nga pesë drejtorë për të komunikuar për aferat korruptive, ka komunikuar edhe Erion Veliaj dhe tha se këto komunikime i disponon SPAK, sepse janë sekuestruar në telefonin e një drejtori të arrestuar.

Këlliçi tha se drejtorët kishin ngritur një kompani ku kishin bërë aksionerë familjarë të tyre dhe në institucionet që drejtonin, tenderat ia kalonin familjarëve

“Mua gjatë fushatës më ka ardhur një informacion nga brenda Bashkisë Tiranë në lidhje me kompani që operonte përmes 5 drejtorëve në Bashkinë Tiranë, që në fillim nuk e kam besuar.

Por, pasi ekipi që ka punuar me mua e shqyrtuan në detaje denoncimin dhe indiciet, rezultonte një skemë korrupsioni e ngritur në Bashki, me pesë drejtorët, Mariglen Qato, Redi Molla, Taulant Tusha, Erion Rrapaj dhe Elton Kacidhja. Diku del edhe një drejtor i gjashtë. Këta kishin ngritur një kompani ku kishin bërë aksionerë familjarë të tyre dhe në institucionet që drejtonin, tenderat ia kalonin familjarëve. Me këto para kanë ndërtuar një nga hotelet më të shtrenjtë në Dhërmi. Po ndërtojnë tani një hotel të dytë. Kam denoncuar ndërtimin e një hoteli 15 milionë euro në Durrës.

Nga punonjës të shtetit me rroga normale, përfunduan në aksionerë të hoteleve të mëdha miliona euro. Pasi bëmë analizë të 29 tenderave ku kanë qenë titullarë, këta ua jepnin tenderat familjarëve të tyre. Kam depozituar kallëzim në prill, kur isha kandidat pë Bashkinë.

Unë mund t’ju jap edhe përgjigjen që ka dhënë Veliaj në një media në atë kohë dhe ka deklaruar që është shpifje dhe isha paditur në gjykatë për shpifje dhe Mariglen Qato më paditi për shpifje, por nuk erdhi kurrë në gjyq.

Çfarë ka ndodhur? Unë e kam asistuar SPAK me materiale të detajuara, informacionet, ekstraktet. Në rastin e Mariglen Qatos kishte kunatën, vëllain… E gjithë familja punonte për këtë kompani. Nuk e kam besuar edhe unë, por rezultoi e vërtete.

Ajo që kam mësuar gjatë hetimeve, është që këta për herë të parë kanë ngritur një aplikacion të enkriptuar që komunikonin të pestë, madje edhe me Erion Veliajn brenda. Aty ka nisur gjithçka. Është niveli i sofistikimit që po flasim. Prokuroria i ka hyrë në detaje dhe në këtë aplikacion që ka gjetur në një nga pajisjet e një personi që u arrestua, gjetën komunikime se si shpërndaheshin tenderat, parate, porositë. Është e vërtetë.

Shoqëruar edhe me një kallëzim për një drejtor tjetër. Ajo që ndodh në Bashki, është e paimagjinueshme. Mariglen Qato ka qenë drejtues i fushatës në disa njësi. E njëjta gjë me të tjerët. Taulant Tusha është bankomati personal i Erion Velisë.

Ka patur denoncim që fabrika e asfaltit në Krrabë është vatër korrupsioni. Nuk kalojnë paratë me bankë dhe nuk faturohen, janë ndërmarrje korrupsioni. Asnjë reagim nga SPAK”, tha Këlliçi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *