Në kryesinë e Kuvendit, deputetet e PD, Jorida Tabaku dhe Emilia Koliqi kanë mbledhur rreth 50 profesionistë të lirë nga grupet e ndryshme të interesit për të diskutuar mbi paditë e dërguara në Gjykatë Kushtetuese për Tatimin ndaj profesionistëve të lirë.
Deputetja demokrate, e shoqëruar nga kolegia e saj Koliqi u shpreh se: “Jemi përpjekur që mos ta trajtojmë si një çështje populiste sepse jemi të gjithë profesionistë, të arsimuar mjaftueshëm që të kuptojmë që s’ka shtet pa taksa dhe askush nga ju nuk po kërkon një gjë të tillë. Por ne po kërkojmë që kjo taksë që është vendosur në shkelje dhe në cenim të Kushtetutës të paktën të dy elementëve të cilët këshilltarët e grupit parlamentar i kanë elaboruar dhe i kanë analizuar në detaje që kanë cenuar sigurinë juridike dhe barazinë para ligjit. Këto duhet të merren parasysh nga Gjykata Kushtetuese për t’i riparë për të vendosur në mënyrë të logjikshme se si do të procedohet.”
Në takim zonja Tabaku u shpreh se Gjykata Kushtetuese e ka kaluar në fazën e Dhomës së Këshillimit ku deri në 21 maj do të dorëzohet me shkrim parashtrimet për mendimet, opinionet, problematikat lidhur me zbatimin e ligjit përsa i takon tatimit të Profesioneve të Lira.
FJALA E PLOTE E TABAKUT
Dje morëm një lajm të mirë që Gjykata Kushtetuese e ka kaluar fazën e Dhomës së Këshillimit, padia është pranuar dhe deri më 21 Maj do të dorëzojmë me shkrim parashtrimet për mendimet, opinionet, problematikat lidhur me zbatimin e ligjit përsa i përket tatimit të Profesioneve të Lira.
Në këto vite unë, znj. Koliqi, por edhe kolegë të tjerë të grupit parlamentar të PD-së, kemi folur për shumë çështje për taksat, sistemin tatimor, por nuk ka pasur asnjë çështje për të cilën mua më kanë kontaktuar kaq shumë dhe nuk kam folur asnjëherë me kaq shumë juristë përsa i përket tatimit.
Jemi përpjekur që mos ta trajtojmë si një çështje populiste sepse jemi të gjithë profesionistë, të arsimuar mjaftueshëm që të kuptojmë që s’ka shtet pa taksa dhe askush nga ju nuk po kërkon një gjë të tillë. Por ne po kërkojmë që kjo taksë që është vendosur në shkelje dhe në cenim të Kushtetutës të paktën të dy elementëve, të cilët këshilltarët e grupit parlamentar i kanë elaboruar dhe i kanë analizuar në detaje që kanë cenuar sigurinë juridike dhe barazinë para ligjit. Këto duhet të merren parasysh nga Gjykata Kushtetuese për t’i riparë për të vendosur në mënyrë të logjikshme se si do të procedohet.
Taksa për Profesionet e Lira është shumë e debatuar sepse ky ligj është diskutuar për 1 vit në parlament. Janë dëgjuar grupet e interesit, por nuk janë akomoduar shqetësimet e tyre. Asnjë nga shqetësimet që ka ardhur nga të gjitha grupet e interesit me të cilat kemi bashkëpunuar, me këtë grup që kanë një risk të shtuar krahasuar me bizneset e tjera, nuk janë reflektuar në variantin final të ligjit dhe aq më tepër tashmë me zbatimin e ligjit pas datës 1 prill. Kam pasur komente, mesazhe pa fund të cilat na kanë vënë në dijeni që dhe zbatimi i ligjit nuk është sipas rregullit të vënë nga vetë ligji.
Në ju jemi drejtuar Profesionistëve të Lirë, ekonomistë, kontabilist, jurist, noter, por mua më kanë kontaktuar dhe të rinj nga fusha e TIK. Të rinj që tashmë nga zbatimi i këtij ligji janë duke u penalizuar dhe nga komunikimi që kemi pasur zyrtarisht me Qendrën Kombëtare të Biznesit, të paktën në 6 muajt e fundit që nga njoftimi zyrtar, kemi 11.000 biznese të vogla që lidhen me këtë kategori të cilët janë deklaruar të mbyllur. Kjo është një shifër jashtëzakonisht e lartë, një shifër që këdo që është në vendimmarrje do ta bëntë të reflektonte, por fatkeqësisht nuk kemi pasur asnjë reflektim.
Në padinë që në kemi dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ne kemi menduar për të mirën publike. Secili prej jush shpresoj që të na ndihmojë në këtë dëgjesë të parë edhe me elementë të tjerë të cilët në do t’i pasurojmë me shkrim deri në datën 21 maj për t’i paraqitur në Gjykatën Kushtetuese si argumenta të cilat do t’i shtohen parashtrimit fillestar që e kemi bërë.
Ndërkohë që ne çuam padinë në Gjykatën Kushtetuese, disa grupe të tjera interesi që ne kemi qënë në kontakt kanë dërguar të tjera. Avokatët, noterët dhe kontabilistët dhe auditët e miratuar, janë të paktën 4 grupe të ndryshme interesi që i janë shtuar padisë që ne shpresojmë të bashkohen në një zë dhe do të jemi të gjithë bashkë atje për parashtrimin e argumentave.
Vendimi i gjykatës nuk është në dorën tonë, por në dorën tonë është parashtrimi i një analize sa më profesionale për të treguar që me të vërtetë ky lloj profesioni dhe kjo lloj sipërmarrje nuk mund të taksohet dhe nuk mundet që kjo lloj pune të tatohet më tepër se çdo lloj pune në Republikën e Shqipërisë.
Eshtë e vërtetë që nga zbatimi i sistemit të taksave shumë kanë abuzuar dhe me personin fizik, shumë persona mund të jenë regjistruar si persona fizikë edhe në mënyrë abuzive, por ky nuk është faji juaj, nuk është faji jonë por është faji i sistemit që është ngritur sepse sistemi i tillë me gjashtë nivel që i ka nxitur një pjesë të mirë të individëve të regjistrohen si persona fizikë ka krijuar informalitet dhe Drejtoria e Tatimeve e ka stimuluar vetë. Nuk ka ardhur nga asnjë nga profesionistët e lirë dhe nuk ka ardhur nga asnjë nga zanatet që ju ushtroni, por ka ardhur së pari nga padrejtësia që është vendosur në sistemin e taksave dhe nga paaftësia e Drejtorisë së Tatimeve për të zbaruar sistemin që ka nxitur informalitetin.
Kështu që këto do jenë argumentat që ne do t’i shtojmë. Unë dua që të falenderoj së pari këshilltarët ligjorë të Partisë Demokratike që kanë bërë një punë shumë profesionale dhe të gjithë ato që na kanë ndihmuar gjatë kësaj kohe dhe shpresoj që kjo dëgjesa të shërbejë që ne të bashkëbisedojmë me njëri tjetrin dhe të bashkëkoordinojmë veprimet në mënyrë që deri në 21 maj të jemi sa më profesionistë për të çuar atje zërin e të gjithë palëve të interesit por dhe për të mbledhur njëkohësisht shqetësime që lidhen me zbatimin e ligjit, t’na ndihmojë ne që së pari, çështja të analizohet sa më shpejt dhe së dyti të kemi informacion të mjaftueshëm para Gjykatës se çfarë problematikash ka ligji.
Nga data 1 prill kur kanë ardhur njoftimet e para për bizneset, shumë më kanë kontaktuar dhe më kanë thënë që një pjesë e madhe e njoftimeve që kanë ardhur kanë norma të taksave më shumë se ajo që parashikon ligji. Shumë biznese më kanë njoftuar që kanë shkuar taksat, norma e taksës 30-40% për disa kategori biznesesh. Shumë në fusha e teknologjisë së informacionit më kanë kontaktuar dhe më kanë thënë që një pjesë e tyre janë detyruar të mbyllur bizneset dhe të shohin mënyra të tjera se si mund të operojnë në treg duke marrë parasysh këtë normë të lartë takse. Dhe të gjitha këto ne do t’i mbledhim për t’i parashtruar para gjykatës.
Jam e sigurt që nuk do ketë prezantim më profesional sesa ky sepse ju të gjithë jeni së pari ushtrues të këtij profesioni, të të dy fushave që ne do përpiqemi të parashtrojmë para Gjykatës duke kërkuar njëkohësisht dhe pezullimin e ligjit që hynte në fuqi në datën 1 prill por gjasat janë që kjo nuk do të ndodhë kështu që ligji është duke u zbatuar ndërkohë që ne flasim. Kështu që është imediate që ne të përshpejtojmë këtë fazën e parë të parashtrimit të argumentave në mënyrë që ta kemi më të thjeshtë në fazat e ardhshme. Është e kotë që t’ju them ju sesa janë rritur shpenzimet, shumë biznese të vogla më kanë njoftuar që njoftimet që kanë ardhur, kanë ardhur dhe për shpenzime të rritura nga të gjithë ato që kryejnë biznes.
Ekonomistët dhe auditët kanë rritur shpenzimet e tyre normalisht sepse është rritur norma e taksës, bizneset e vogla të noterisë i kanë rritur normalisht sepse është rritur norma e taksës, pra kemi një rritje zinxhir të shpenzimeve të bizneseve të vogla si rezultat i kësaj. Të gjithë këto elementë që ne i kemi parasysh dhe e kuptojmë që kanë rritur vështirësinë e operimit të paktën këtë vit të parë.