30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Raiffeisen, OTP dhe Intesa mbushin arkën e Putinit/ Bankat Perëndimore paguan 800 mln euro taksa në Rusi vitin e kaluar

Bankat më të mëdha perëndimore që kanë mbetur në Rusi i kanë paguar Kremlinit më shumë se 800 milionë euro taksa vitin e kaluar – një shifër katër herë më e lartë se niveli i paraluftës, pavarësisht premtimeve për të minimizuar ekspozimin e tyre pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Kjo u zbulua nga një investigim i Financial Times, sipas të cilit shtatë bankat kryesore evropiane me aktivitet në Rusi – Raiffeisen Bank International, ING, Commerzbank, Deutsche Bank, Otp por edhe Unicredit italiane dhe Intesa Sanpaolo – shënuan një fitim të kombinuar prej mbi 3 miliardë euro në 2023.

Këto fitime janë tre herë më të larta se ato të vitit 2021 dhe janë gjeneruar pjesërisht nga fondet që bankat nuk mund t’i tërheqin nga vendi. Rritja e përfitueshmërisë ka bërë që bankat evropiane të paguajnë rreth 800 milionë euro taksa, krahasuar me 200 milionë euro në vitin 2021, sipas analizës së Financial Times. Kjo shifër i shtohet fitimeve të huadhënësve amerikanë si Citigroup dhe JPMorgan.

Taksat e paguara nga bankat evropiane, ekuivalente me rreth 0.4% të të gjitha të ardhurave buxhetore ruse joenergjetike të parashikuara për vitin 2024, janë një shembull se si kompanitë e huaja që mbeten në vend ndihmojnë Kremlinin të ruajë stabilitetin financiar pavarësisht sanksioneve perëndimore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *