Punësimi i individëve në të “zezë” duke mos iu paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore si dhe duke ua dhënë pagesën mujore “nën dore” vijon të mbetet problematikë në vendin tonë. Inspektorati Shtetëror i punës përgjatë vitit 2023 ka konstatuar 1965 punëmarrës informal gjatë procesit të inspektimit nga të cilët janë siguruar 1949 ose 99.1% prej tyre. Rastet për të cilat nuk është bërë e mundur formalizimi gjatë procesit, janë deleguar për kompetencë rast pas rasti pranë Organeve të Tatim Taksave.
E ndarë sipas rajoneve, nga rreth 216 mijë punëmarrës të inspektuar në total, rezulton se infomaliteti më i lartë konstatohet në Rajonin e Tiranës, me 643 punonjës të konstatuar në të zezë, ndjekur nga Rajoni Korçë, Shkodër, Vlorë dhe në fund renditet Rajoni Dibër me 168 punëmarrës informalë.
Sa i takon punonjësve informalë të konstatuar në sektorin privat, peshën më të madhe e zë sektori i tregtisë me 965 të punësuar, ndjekur nga ndërtimi me 489 individë, dhe vendin e tretë e mbajnë ndërmarrjet prodhuese. Në sektorët e tjera informaliteti duket në nivele shumë më të ulëta.
Një indikator matës për eficensën e punës së inspektorëve është mesatarja e numrit të informalëve të konstatuar për inspektor. Kjo mesatare për vitin 2023 është 25 Informal/Inspektor. Krahasimisht me një vit më parë reflekton përmirësim të punës, pasi për vitin 2022 ky indikator rezulton në masën 21 Informal/Inspektor. Në raport me indikatorin i përllogaritur si numri i punëmarrësve të padeklaruar (informal) për subjekt të inspektuar, për vitin 2023 rezulton 5 informal/subjekt.
Bazuar në ligjin 9634/2006 “Për inspektimin e punës” (i ndryshuar), përkufizimi “Punësim informal” përcakton një marrëdhënie punësimi, që nuk i nënshtrohet nga ana ligjore dhe në praktikë kërkesave të legjislacionit të punës.
Scan TV