27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

“Kthehuni punoni kamarierë në Shqipëri sepse rrogat janë thuajse njësoj me Gjermaninë”

Në këtë vit ku Shqipëria është në pritje të 14 milionë vizitorëve, turizmi është përballë një sfide të madhe, kërkesës për fuqi punëtore. Kryetari i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare Kujtim Dervishi, e ka cilësuar si gur prove 2024, duke i bërë thirrje të rinjve të kthehen për të punuar në atdhe. Për SCAN tv, Dervishi ka thënë se diferenca mes pagave në Gjermani dhe Shqipëri është shumë minimale, pasi industria turistike shqiptare ka rritur pagat dhe kushtet.

“Problemi kryesor janë vetëm stafet. Gjithë rrjeti i hoteleve është në krizë për punëtorë veçanërisht pjesa e bregdetit që ka thithjen më të madhe të turizmit, ka një boshllëk të madh sa i përket stafeve profesionale. Diferenca e pagave midis Gjermanisë dhe Shqipërisë është shumë e vogël, por kushtet këtu janë më të mira pasi je në vendin tënd. Gjermania është një vend i përparuar, por nuk mund të sakrifikosh për 200-300 euro. Shërbimet tani janë rritur, po të shikosh dhe hotelet e bregdetit kanë krijuar kushte për akomodimin e stafeve dhe kërkesat janë në rritje,”- ka thënë Dervishi.

Sa i përket kapacitetit akomodues, Dervishi ka thënë se është shtuar numri i shtretërve, por e rëndësihme është certifikimi. Shpesh hotelet i vendosin vetë yjet, por sipas kreut të Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare, duhet të përmirësohet shërbimi për t’u shtuar në guide, pasi kushtet më cilësore bëjnë më pas që turisti vendas apo i huaj të zgjedhë kategorinë dhe po në bazë të saj të paguajë, për të mos lënë vend për abuzime.

“Nuk mund t’i vësh yjet sipas dëshirës, por duhen oragnizma ndërkombëtare të specializuara, të cilat kanë eksperiencën e tyre, janë certifikuar dhe akredituar, që duhet të bëjnë këtë kategorizmin nga hotelet deri tek bujtina. Këtu te ne, ndoshta është momenti i fillimit, por dhe kjo do arrihet shpejt.”- ka shtuar Dervishi

Ndërsa rritjen e numrit të bujtinave, Dervishi e cilëson pozitive për nxitjen e ekonomisë rurale duke ndikuar edhe në rigjallërimin e këtyre zonave që vitet e fundit janë shpopulluar.

Scan Tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *