Kush përdor bombula gazi për aktivitetin e tij do të duhet të bëjë sigurimin e detyrueshëm. Vendimi i Këshillit të Ministrave ka marrë fuqi ligjore dhe parashikon që restorantet, hotelet, kompanitë e ndërtimit e prodhimit e deri edhe institucionet shtetërore që përdorin kaldaja, bombula gazi apo pajisje nën presion, do të jenë të detyruara të bëjnë sigurimin, mbi bazën e nivelit të riskut që kategorizohen pajisjet që ato përdorin.
Kontratat që do të duhen që ato të lidhin me kompanitë e sigurimit, duhet të parashikojnë rastet e rreziqeve që mund të shkaktojnë këto pajisje.
Kështu, për pajisje apo impiante nën presion me rrezik të ulët, kufiri minimal është 10 milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 20 milionë lekë në agregat, ndërsa për pajisje me rrezik të mesëm 20 milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 40 milionë lekë në agregat.
Po ashtu, vendimi i qeverisë përcakton për impiantet me rrezik të lartë, kufiri minimal do të jetë 35 milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 70 milionë lekë në agregat dhe ato me rrezik shumë të lartë, 50 milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 100 milionë lekë në agregat.
Përdorimi i bombulave të gazit nën 5 litra kategorizohet me risk të lartë, çfarë do të thotë se dhe polica e sigurimit do të duhet të llogaritet mbi bazën e këtij niveli kategorizimi. Ndërsa për bombulat 5 deri në 150 litra, kategorizimi është për risk shumë të lartë.
Me risk të ulët kategorizohen vetëm kaldajat e avullit dhe ujë të nxehur ne prodhimtari, në rastet kur kanë volum deri nga 300 kilogramë në orë deri në 2000 kilogramë. Po ashtu me risk të lartë dhe shumë të lartë kategorizohen bombolat e gazrave teknike, rezervuaret e lëndëve djegëse si ato të karburanteve, linjat teknologjike industriale etj.
Ky vendim vjen në një kohë kur Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka ndërmarrë një aksion kontrolli në strukturat akomoduese mbi sigurinë e pajisjeve nën presion.
Scan TV