Një grup ekspertësh të kontraktuar nga Bashkimi Europian i kanë dorëzuar ministrisë së Infrastrukturës përmbledhjen jo teknike për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis mbi autostradën Balldren-Murriqan. Studimi për autostratën, pjesë e korridorit Adriatiko – Jonian apo siç njihet ndryshe korridori blu është financuar me një grant prej 1. milionë eurosh nga Kuadri i Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Sipas raportit, autostrada do të ketë një gjatësi prej rreth 40 km dhe do të lejojë një shpejtësi lëvizjeje prej 120 km/orë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të nisë konsultimet për gjurmën e projektit dhe ndikimin social – mjedisore në 3 bashkitë që prek projekti e më konkretisht: Shkodër, Lezhë dhe Vau i Dejës.
Për hartimin e projektit janë mbajtur në konsideratë 2 alternativa, ku njëra prej tyre është gjurmë tërësisht e re, me gjatësi 27.5 km, ku supozohej të ndërtohej një pikë e re kufitare me Malin e Zi dhe një urë e re mbi lumin Buna.
Por, sipas studimit kjo alternativë ka kosto të lartë, duke bërë të pëlqyeshme alternativën e dytë, me gjatësi prej 40 km. Ajo parashikon ndërtimin e një segmenti të ri prej rreth 13 km, si dhe zgjerimin e rrugës ekzistuese prej rreth 25.8 km.
Ndërtimi i segmentit të ri propozohet për të shmangur interferencën me rrjetin ekzistues të Rrugës Kombëtare, e cila i shërben trafikut të zonës (trafiku lokal dhe i përgjithshëm).
Në autostradën e re parashikohen katër kalime në disnivel, përkatësisht në Murriqan, Velijpojë, në Vaun e Dejës dhe një në veri të Lezhës.
Korridorit Adriatiko – Jonian, i cili është identifikuar si pjese e Korridorit TEN-T Mesdhetar, duke shtrirë korridorin kryesor te rrjetit te BE-se ne Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjatësia e vlerësuar e të gjithë Korridorit e Mesdheut është rreth 1,550 km. Në Ballkanin Perëndimor, korridori kalon nëpër Mal të Zi (afërsisht 7% e gjatësisë totale) dhe Shqipëri (afërsisht 20% e gjatësisë totale ose rreth 300 km).
Balldren-Murriqan është segmenti i fundit i të ashtuquajturës autostrada Shkodër-Fier. Qeveria ka dhënë me koncesion 4 segmente të kësaj autostrade, nga Miloti deri në Fier. Ndërkohë që nuk dihet se çfarë do të ndodhë me segmentin tjetër nga Miloti në Balldren pasi për këtë segment qeveria ka deklaruar që do të shpallë dhënien me koncesion, por ende nuk e ka hapur procedurën.