Klodian Tomorri
Zahide Bruçi pati marrë një overdraft prej 169 mijë lekësh në Raiffeisen Bank, në vitin 2006. Përgjatë tre viteve ajo e shleu rregullisht kredinë e saj duke paguar në total 215 mijë lekë mbrapsht së bashku me interesat. Duke kujtuar se tashmë e kishte shlyer plotësisht kredinë, zonja Bruçi i ndali pagesat. Por siç do të merrej vesh më vonë, ajo kishte mbetur edhe 7 mijë lekë borxh pranë bankës.
Këtu fillon kalvari i tmerrshëm i familjes Bruçi, të cilin kryefamiljari Fiqiri Bruçi e dëshmoi në emisionin Fiks Fare. Në vitin 2015,Raiffeisen e shiti kredinë 7 mijë lekëshe të familjes Bruçi tek MCA Albania. Por nga 7 mijë lekë tashmë borxhi kishte shkuar 245 mijë lekë. Për t’i rënë shkurt, deri më tani familja Bruçi ka paguar 1.4 milionë lekë ose 14 mijë euro për kredinë 70 euro që kishte mbetur pa shlyer dhe pavarësisht kësaj i janë marrë edhe pronat.
Rrëfimi i Fiqiri Bruçit është ndoshta dëshmia më e mirë se çfarë ka ndodhur me skemën e madhe të mashtrimit me kreditë, e cila mendohet se ka prekur mbi 100 mijë qytetarë. Kjo e bën këtë skemë kërcënimin më të madh për sigurinë kombëtare të Shqipërisë sot. Dhe kërcënimi vazhdon.
Burime konfidenciale i thanë Kapitalit se një ditë më parë Kadastra ka transferuar dhjetra prona të qytetarëve në pronësi të MCA Albania. E njëjta gjë ka ndodhur edhe pardje dhe do të vazhdojë të ndodhë edhe sot. Të ndërgjegjshëm se skema e mashtrimit tashmë është ekspozuar dhe se modeli i tyre i biznesit po shkon drejt fundit, MCA dhe Final po nxitojnë të tjetërsojnë qindra prona të qytetarëve përmes ankandeve fiktive.
Por teksa kjo masakër është duke ndodhur në sytë e të gjithëve, shteti nuk ndërhyn por rri vështron se si qytetarët e tij theren nga mashtrimi. Një muaj më parë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i kërkoi zyrtarisht informacion Kadastrës mbi numrin e pronave që kanë kaluar në pronësi të MCA dhe Final. Por përgjigja nuk erdhi. Ose u mbajt e fshehtë.
Kapitali ka mësuar se të njëjtën kërkesë Agjencisë së Kadastrës ja ka drejtuar edhe SPAK. Nuk dihet nëse Kadastra ja ka përcjellë informacionin SPAK. Por sido që të ketë ndodhur, agjë nuk e justifikon hezitimin e SPAK për të ndërhyrë dhe ndalur gjakderdhjen që vazhdon të ndodhë.
Kjo është një skemë, e cila vazhdon prej vitesh. Prokurorët e SPAK i kanë tashmë të gjitha faktet, që tregojnë se pronat janë marrë me mashtrim dhe në shkelje të ligjit. Ndaj çdo sekondë që ata shtyjnë vendosjen e shiritit tek MCA dhe Final thjesht shkakton edhe më shumë viktima.
Bllokimi i dy shushunjave të mikrokredive është emergjencë, në mënyrë që ato të mos tjetërsojnë të tjera prona. Pas këtij hapi, qeveria do të duhet të mendojë një zgjidhje ligjore se si të zhbëjë atë që ka ndodhur me grabitjen e pronave. Ndoshta një ligj, i cili i bën nul të gjitha aktet e tjetërsimit të pronave nga MCA dhe Final, pasi në të kundërtën mijëra familje që kanë rënë pre e mashtrimit do përballen me vite të tëra procesesh në xhunglën e gjyqësorit shqiptar për të marrë mbrapsht pronat e tyre.
Pasi të jetë zgjidhur kjo, Shqipëria do të duhet të rimendojë sërish nëse do të vazhdojë të tolerojë modelin e kalbur të mikrokredive. MCA dhe Final janë thjesht vetëm hallka fundore e këtij modeli. Por origjina e tij janë edhe kompanitë e tjera, të cilat japin mikrokredi me interesa fajdesh, veçanërisht Iute dhe Kredo. Këto kanë një model biznes, i cili gjeneron fitime marramendëse edhe pse 50 për qind e kredive nuk shlyhen dhe dalin kredi të këqija.
Këto kredi të pashlyera, më pas shiten tek MCA dhe Final. Me pak fjalë MCA dhe Final janë gropa ku shkarkojnë halet e mikrokredive. Nëse të parat do të ekzistojnë, do të ekzistojnë edhe të dytat. Edhe nëse mbyllen këto, do të dalin MCA dhe Finale të tjerë. Por ky është një problem që duhet zgjidhur më vonë. Tani duhet shiriti sa më shpejt.