Rigjallërimi i hekurudhave dhe vënia e tyre në shërbim të transportit të pasagjerëve dhe mallrave, është aktualisht sfida më e madhe e zhvillimit në infrastrukturën e vendit. Ndërtimi i linjës Tiranë-Durrës, që pritet të përfundojë në mars të vitit që vjen shënon vetëm fillimin e këtij transformimi të madh.
Drejtori i Hekurudhave, Ergys Verdho tha në emisionin ‘INSIDER’ në Scan Tv se një vëmendje të shtuar ka marrë së fundi edhe zgjatimi hekurudhor ekzistues nga Rrogozhina në Vlorë, për të qenë një mbështetje për turizmin.
Ky projekt plotëson një tjetër investim që tashmë ka nisur, atë të linjës Durrës-Rogozhinë. Në dhjetor të vitit të shkuar qeveria shqiptare arriti që të përfitonte një grant 62 milionë euro për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë. Kostoja totale e projektit llogaritet në 120.5 milionë euro. Projekti merr rëndësi të veçantë pasi është pjesë e Korridorit VIII, një nga dhjetë korridoret e transportit Pan-Evropian.
Në dokumentet paraprake të publikuara për projektin nënvizohej se përveç të qenët pjesë e Korridorit VIII, ky segment përbën gjithashtu lidhjen e vetme hekurudhore midis pjesës Perëndimore, Lindore (Qafë Thanës dhe Pogradecit) dhe Jugore të Shqipërisë (qytetet Vlorë dhe Ballsh).
Vija hekurudhore e projektit ndjek atë ekzistuese dhe pas rehabilitimit parashikohet që trenat të kenë shpejtësi 120 kilometra/orë.
Hekurudhat
Rigjallërimi i sektorit hekurudhor ka përfshirë një sërë projektesh të tillë si Tiranë-Durrës që është në zbatim dhe pritet të finalizohet këtë vit, projekti Vorë-Hani i Hotit marrëveshja e financimit me BERZH që u nënshkrua këto ditë në Londër si dhe projekti për lidhjen me Kosovën
Por projektet më ambicioze që tashmë janë përfshirë në planet e investimeve me mbështetjen e donatorëve janë ata që lidhin transportin tonë hekurudhor me rajonin. Lidhja me Malin e Zi, një linjë e re me Kosovën si edhe projekti i Koridorit 8 hekurudhor që siguron lidhje me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, pritet ta çojnë në një nivel të ri ndërlidhjen e transportit hekurudhor me atë detar.
Për financimin e projekteve hekurudhore në vend një mbështetje e konsiderueshme është marrë nga projektet e Bashkimit European, të cilat synojnë ndërlidhjen e infrastrukturës së rajonit me atë të kontinentit. Ndërkohë projektet po financohen edhe me kredi të siguruara nga BERZH dhe Banka Europiane e Investimeve.