30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Dhoma e Permbaruesve: Prokuroria e Tiranes fali kokat e mashtrimit te kredive

Dhoma Kombetare e Permbaruesve ka reaguar pas aksionit te Prokurorise se Tiranes per arrestimin e 9 personave te perfshire ne skemen e mashtrimit me kredite.

Permes nje deklarate zyrtare Dhoma e Permbaruesve sqaron se veprimi i Prokurorise se Tiranes eshte i vonuar, por njekohesisht edhe i cunguar, pasi sipas saj nuk u goditen kokat e skemes se mashtrimit

Deklarata e plote e Dhomes se Permbaruesve:

Sot Prokuroria e Tiranës njoftoi se hetimi i nisur me kallëzimin penal nr.3464, datë 25.02.2020 të Ministrisë së Drejtësisë kundër subjekteve “Micro Credit Albania”, “ADCA”, “Shp Zig”, “Fs”, “Flash” dhe ish përmbaruesve të tyre çoi në 9 kërkesa për marrjen e masave të sigurisë “Arrest në burg” dhe “Arrest në shtëpi” për 9 persona të akuzuar për veprën penale “Skema mashtruese dhe piramidale”.

Brenda lajmit të bujshëm për goditjen e skemës me gjenezë vitin 2015, konkurrojnë dy sentencat: Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar! – Më mirë vonë se kurrë!

Megjithëse sentenca juridike prevalon mbi atë moralen, sot po përcjellim disa fakte me një sqarim:
– Ish përmbaruesve Arben Meskuti, Alban Kote, Aldo Daka, Jordisa Dervishi, Alketa Tanushi, u është hequr licensa në vitin 2017.
– Ish përmbaruesve Kejda Seferi dhe Albert Gega, u është hequr licensa në vitin 2019.
– Elda Ibro është ortak i vetëm i Micro Credit Albania shpk.
– Edmond Mato ish ortak i vetëm i Star/Fs nuk ka qënë asnjëherë përmbarues.
– Shoqëria “ShP ZiG” shpk me Nuis L02110003A është pezulluar në 18.5.2018. Sot figuron me status “shoqëri në likuidim e sipër” (15.4.2024 – 15.4.2025).
– Shoqëria “FS” shpk me Nuis L52006036E figuron me status çregjistruar (7.8.2023).
– Shoqëria “Flash” shpk me Nuis L61329023E figuron me status çregjistruar (27.6.2022).
– “ADCA” shpk me Nuis K92012006Q figuron me status pezulluar (24.11.2023).

Operacioni i koduar policor “LIABILITY-3” ka ekzekutuar masa sigurimi për 9 persona, ndërkohë që kallëzimi penal depozituar nga Ministria e Drejtësisë në shkurt 2020, është referuar kundër 21 shtetasve dhe 5 personave juridikë. Nuk ka asnjë kërkesë nga prokuroria për administratorët e shoqërive Micro Credit Albania, Flash, ADCA.

7 të akuzuarit (ish përmbarues), për të cilët është kërkuar masë sigurimi personal nga prokuroria, nuk janë pjesë e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve që prej 5-7 vitesh më parë.

Dhoma Kombëtare nuk i ka pranuar asnjëherë si pjesë të saj dhe ka iniciuar kërkesat dhe proceduar për “largimin” e tyre nga profesioni për më shumë se 1 herë (2016-2017 dhe 2018-2019).

Raporti për ndjekjen nga Prokuroria e Shtetit dhe referimin e veprave penale lidhur me Skemen shtrënguese të kredimarrjes nëpërmjet mashtrimit publik bashkë me propozimet dhe rekomandimet përkatëse i është drejtuar Ministrit të Drejtësisë në 12.2.2020, bashkë me një material të gjerë dokumentar, pikërsisht nga një Grup pune i iniciuar nga Dhoma Kombëtare, ku u faktua pa asnjë ekuivok krijimi i skemës dhe mashtrimi i qytetarëve nga bashkëpunimi i “Micro Credit Albania”, “ADCA”, “Shp Zig”, “Fs”, “Flash” etj.

Mes rekomandimeve dhe propozimeve të raportit drejtuar ministrit të Drejtësisë së asaj kohe (2020) ishte Dhoma që kërkoi të njoftohej menjëherë Banka e Shqipërisë, që të shqyrtonte menjëherë aktivitetin e Micro Credit Albania (në atë kohë ishte sh.a – jo sh.p.k) për mënyrën se si lidheshin kontratat e kredidhënies nga ky institucion jobankë, për të gjitha rastet e prezantuara në raport dhe për kryerjen e një procesi riverifikimi të procedurës së licencimit të këtij institucioni financiar jobankë.

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve i kërkoi ministrit të asaj kohe nëpërmjet raportit dhe jo vetëm, që të njoftoheshin të gjitha mediat audiovizive për zbulimin e skemës së mashtrimit publik për të ndihmuar qytetarët që mund të kishin rënë pré e aktivitetit kriminal të 5 shoqërive, që në bashkëpunim kishin krijuar një skemë masive mashtrimi, që po preket pak vetëm sot, pas 4.3 vitesh.

Skema e mashtrimit ka ende shumë protagonistë të tjerë, të cilët janë aktivë sot, të paprekur, të mirëorganizuar, që po vazhdojnë të krijojnë pasoja publike duke e dërguar skemën e nisur në vitin 2015, në nivele fundore kriminale.

Banka e Shqipërisë ka patur dijeni të plotë të zhvillimit të kësaj skeme, mes 5 shoqërive të lidhura me njëra-tjetrën, por nuk ka vepruar duke e mbajtur këtë aktivitet kriminal brenda perimetrit të “mbikëqyrjes” së saj, brenda perimetrit të sigurisë së zhvillimit pa pengesa të këtij aktiviteti dhe brenda perimetrit të përgjegjësisë direkte të saj.

Dhoma Kombëtare ka qënë dhe mbetet aleate e publikut për të çmontuar këtë skemë mashtrimi që e ka denoncuar parreshtur që nga viti 2015 dhe do vijojë ta bëjë këtë deri sa çdo qytetar i cenuar nga kjo skemë të fitojë të drejtën e tij.

I lutemi publikut të besojë se pjesa dërrmuese dhe shumica e trupës së ndershme të përmbarimit privat në Shqipëri, nuk kanë asnjë lidhje me 7 ish përmbaruesit e arrestuar apo me 7 të tjerë që mund të kenë shitur vulat e profesionit bashkë me shpirtin e tyre, për të qënë “vrasësit” me pagesë të skemave të mikrokredisë që kanë masakruar financiarisht dhe shpirtërisht qytetarin dhe fshatarin e thjeshtë shqiptar.

Ashtu si në çdo profesion apo fushë të jetës edhe ne, veçanërisht ne, kemi patur apo kemi mes nesh ata që s’duhet të ishin apo ata që s’duhet të jenë. Por ne, i refuzojmë dhe i denoncojmë ashtu si bëmë pareshtur gjithë keto vite, deri sot.

Inkurajojmë SPAK të ndërmarrë veprime aktive për të izoluar dhe minimizuar sadopak pasojat e rënda që kanë ardhur për mijëra qytetarë shqiptarë, për shkak të lejimit të funksionimit të kësaj skeme të mashtrimit masiv, nga përgjegjësit e identifikuar të saj!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *