Mediat britanike kanë llogaritur se ministri i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron shpenzoi 60 mijë paund duke marrë me qira një charter privat për vizitën e tij 89 minutëshe në Shqipëri. E përditshmja The Mirror, është hapur me titullin “David Cameron shpërdoron 60 mijë paund për 89 minutat e tij në Shqipëri.
Sipas gazetës, ministri i jashtëm mori me qira një avion luksoz për të fluturuar në Shqipëri, vetëm për të qëndruar një orë e gjysmë duke u detyruar të kthehej pasi kryeministri Rishi Sunak thirri zgjedhjet e parakohëshme.
“Në atë që mund të ishte poshtërimi i tij i fundit si Sekretar i Jashtëm, Lordi duhej të vizitonte kryeqytetin Tiranë, ku do t’i bëhej një pritje madhështore – me flamuj sindikatash të vendosura në rrugë dhe një foto trekatëshe të tij të mbështjellë në një ndërtesë qeveritare. Por avioni – një Embraer Legacy 600 i marrë me qira nga firma malteze Vistajet – ishte në tokë vetëm për 89 minuta para se të thirrej në një mbledhje urgjente të kabinetit,” shkruan The Mirror.
Emily Thornberry, Prokurorja e Përgjithshme në Hije e Laburistëve tha: “Kjo përmbledh shumë nga ajo që nuk është në rregull me këtë qeveri: humbjen groteske të parave të taksapaguesve të shpenzuara për të marrë me qira një tjetër avion privat luksoz; kaosi i pabesueshëm për t’u kthyer me nxitim në Londër pas më pak se dy orësh në Shqipëri; dhe arrogancën e plotë të trajtimit të një aleati të rëndësishëm të NATO-s me një mungesë respekti të tillë.”
“Tatimpaguesit do të paguajnë koston marramendëse prej 8,600 £ në orë për marrjen me qira të avionit luksoz, i cili përmban ndenjëse prej lëkure prej pelushi për deri në trembëdhjetë pasagjerë – ose shtretër të sheshtë për pesë vetë, – ëi-Fi në bord, një luajtës blu-ray dhe një galeri e pajisur plotësisht me furrë, mikrovalë dhe aparat kafeje,” referon the Mirror.
Cameron ishte tashmë nën kritika për marrjen me qira të një avioni edhe më luksoz për një turne pesë-ditor në Azinë Qendrore muajin e kaluar.
Embraer Lineage 1000, i përshkruar si “një nga avionët më të mirë luksozë privatë që mund të blihen me para”, ka tryezën e vet të ngrënies ku mund të shërbehen ushqimet, si dhe një zonë të veçantë relaksi me divane shumë të gjatë. Në të mund të flejë deri në nëntë pasagjerë.
Mediat britanike janë treguar edhe këtë herë skrupuloze duke zbuluar shumën e paguar nga ministri i tyre i jashtëm për charterin me të cilin fluturoi në Shqipëri. Ndërkohë në vendin pritës, kryeministri shqiptar udhëton prej vitesh në çdo vizitë europiane me Ismailin e tij privat, por kostot mbeten një sekret shtetëror.