27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Credins bank bëhet sponsori zyrtar i Kombëtares së Futbollit

Banka Credins do të jetë sponsori i ri zyrtar i kombëtares shqiptare të futbollit. Federata Shqiptare e Futbollit firmosi me bankën shqiptare kontratën, që e bën Credins sponsorin zyrtar të kombëtares shqiptare të futbollit për tre vitet e ardhshme. Dy drejtuesit e lartë të dy institucioneve respektive Armand Duka, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Monika Milo, zv. Drejtore e Përgjithshme e Credins bank, thanë se ky është një moment i rëndësishëm bashkëpunimi, i cili përkon edhe me fillimin e Kampionatit “Euro2024”. Ky partneritet i ri vjen si një mbështetje dhe promovim mbi vlerat e futbollit shqiptar.

Presidenti i FSHF-së, Duka, vlerësoi këtë bashkëpunim të ri dhe shprehu bindjen se ky partneritet i ri do të sjellë rezultate të shkëlqyera për të dyja palët dhe për futbollin.

“Po nisim një bashkëpunim të ri, me një institucion financiar serioz sikurse është Credins bank dhe për ne është një kënaqësi shumë e madhe. Përmes këtij sporti të bukur dhe shumë të dashur për shqiptarët, përmes asaj që Kombëtarja ka bërë, përmes punës sonë për ta rritur futbollin, tashmë do ta kemi Credins bank partnerin tonë për të paktën tri vite. Kur vlerat bashkojnë forcat, jam i sigurt që edhe rezultatet e bashkëpunimit do të jenë të shkëlqyera”, – theksoi Presidenti Duka.

Monika Milo fillimisht përgëzoi Kombëtaren shqiptare për performancën e shkëlqyer të arritur dhe i uroi gjithashtu shumë suksese për në “Euro 2024”.

“Credins bank ka kënaqësinë për nisjen e këtij rrugëtimi kaq të veçantë. Ky është një partneritet që na bën të ndihemi krenarë, kur bëhet fjalë për të mbështetur Kombëtaren shqiptare. Ne e shohim këtë investim si vlerë të shtuar respektivisht për të dyja palët. Duke parë se skuadra kombëtare e futbollit është pikërisht ajo që i bën bashkë dhe krenarë shqiptarët, menduam që ky do të jetë një lajm impresionues njëherazi edhe për klientët sportdashës të Credins bank.

Ky bashkëpunim, i cili do të sjellë në vëmendje të gjitha ngjarjet kryesore sportive, vjen si një tjetër urë komunikimi dhe strategji shpërblyese për klientët tanë besnikë. E gjithë marrëveshja bazohet në asocimin e dy institucioneve për të promovuar vlerat respektive si në nivel biznesi ashtu edhe në atë sportiv. E gjithë kjo do të vijë e pasqyruar përmes një strategjie bashkëveprimi shumëdimensionale, si në aktivitete, evente, lançime fushatash mbi produkte & shërbime bankare specifike të ndërlidhura me klientët tanë me futbollistët, si edhe shumë surpriza të tjera,” tha zv drejtoresha e përgjithshme e Credins.

Përgjatë ceremonisë zyrtare u diskutua gjithashtu për të gjithë rrugëtimin e suksesshëm që Kombëtarja shqiptare ka treguar sfidat ndër vite si dhe ambiciet e mëdha për të ecur përpara dhe përfaqësuar vendin denjësisht. Sukseset arrihen sigurisht përmes edhe bashkëpunimeve me partnerë prestigjiozë dhe potencialë që kontribuojnë në të mirë të futbollit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *