29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

A.N.K, Albstar, Fusha…/ Peshkaqenët që morën copat e mëdha të rrugëve

Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli fituesit e kontratave 200 milionë euro të tenderuara me një dorë për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, asaj Tiranës Durrës dhe ndërtimin e rrugëve Berat-Ballaban, rrugës së vjetër të Ndroqit dhe asaj të Ksamilit.

Sipas dokumentave, vlera totale limit e këtyre kontratave ishte 19.8 miliardë lekë ose rreth 198 milionë euro. Pas zhvillimit të garave përkatëse, kontratat janë fituar me një vlerë totale prej 178 milionë euro ose 20 milionë euro poshtë fondit limit. Por cilat ishin kompanitë që siguruan kontratat e majme të ndërtimit të rrugëve.

Curri shpk dhe Bami u përzgjodhën fituese në lotin e parë të zgjerimit të superstradës Tiranë Durrës. Ky ishte një nga tenderat ku gara prodhoi kursimin më të madh për qytetarët, pasi ndonëse fondi limit i caktuar ishte 16.7 milionë euro, kompanitë fituese ofruan ta ndërtonin rrugën me 13.8 milionë euro ose gati 3 milionë euro më pak.

Në lotin e dytë për zgjerimn e superstradës Tiranës-Durrës u shpall fitues një bashkim kompanish me Elmazaj Konstruksion, Ndërtimi dhe Ndregjoni shpk. Edhe ky lot kishte të njëjtin fond limit si ai i pari, pra 16.7 milionë euro. Por kompanitë e shpallura fituese ofruan ta ndërtonin me 14.9 milionë euro.

Rindërtimi i rrugës së vjetër Tiranë-Durrës, ajo që kalon përmes Ndroqit, ishte po ashtu një farë që prodhoi kursim të rëndësishëm publik. ARRSH e shpalli këtë garë me fond limit 7.5 milionë euro. Por Arifaj shpk ofroi ta ndërtonte rrugën me 5.8 milionë euro duke u shpallur rrjedhimisht fituese.

Elbasan, Berat, Ksamil
Në 4 lotet e zgjerimit të rrugës Elbasan Qafë-Thanë fituesit ishin A.n.k, Gjoka, Albstar dhe Fusha. Fondi limit për secilin nga katër lotet ishte 25 milionë euro. Por vlerat fituese variuan nga 22 deri në 24 milionë euro.

Sipas rezultateve të garave, në këto lote ofertat fituese kanë variuar nga 88 për qind deri në 99 për qind e fondit limit. Në aksin tjetër, atë Berat-Ballaban, për lotin e parë kontrata u fitua nga G.P.G. Ndërsa në lotin e dytë fituese u shpall oferta e Cobial. Në tenderat e rrugës Berat-Ballaban vlerat fituese ishin rreth 88 për qind e fondit limit.

Agbes Konstruksion është kompania e fundit që mbyll listën e fituesve të kontratave të majme të infrastrukturës. Kjo kompani u shpall fituese në tenderin 15 milionë euro për zgjerimin e rrugës së Ksamilit me një ofertë sa 86 për qind e fondit limit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *