Qeveria ka vendosur të shtetëzojë koncesionin e markimit të karburanteve duke mos e rinovuar më kontratën me kompaninë private GFI Albania. Kapitali ka mësuar se ministri i Financave, Ervin Mete ka urdhëruar transferimin e kontratës në shtet.
“Në vijim të Urdhrit nr. 301 datë 29.12.2023 të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, nga grupi i punës janë realizuar komunikimet institucionale për të marrë masat për transferimin e kontratës dhe dorëzimin e aseteve të saj nga Shoqëria Koncesionare tek Autoriteti Kontraktues, përkatësisht te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, sipas dispozitave dhe afatit të kontratës koncesionare,” thuhet në një dokument zyrtar konfidencial të konsultuar nga Kapitali.
Kontrata e koncesionit për shërbimin e markimit të karburanteve u firmos nga ish qeveria e Partisë Demokratike në vitin 2013. Shërbimi monopol iu dha një kompanie private të quajtur Global Fluids Albania, pas të cilës qëndronte biznesmeni shqiptar Ismail Mulleti.
Sipas kontratës, për shërbimin e kryer kompania arkëtonte 614 lekë pa tvsh për çdo 1 mijë litër karburant të shitur në treg. Këto para paguheshin nga qytetarët në çmimin fundor të naftës ose benzinës. Për 11 vitet e këtij koncesioni, qytetarët shqiptarë kanë paguar mbi 60 milionë euro për koncesionarin privat.
Hijet e Sinan Idrizit
Zyrtarisht kontrata e koncesionit të markimit hyri në fuqi në shtator të vitit 2013 dhe kishte si datë përfundimi shtatorin e vitit 2023. Por në shkurt të vitit 2022, në Qendrën Kombëtare të Biznesit u depozitua një transaksion për shitjen e aksioneve të kompanisë koncesionare.
Sipas dokumentave Ismail Mulleti e kishte shitur koncesionin e markimit tek një grup turk. Në ekstraktin e kompanisë u regjistrua si pronar fundor një shtetase turke e quajtur Nerve Korkmaz. Zonja Korkmaz ka qenë bashkëpunëtore e ngushtë e biznesmenit Sinan Idrizit, ortakut të qeverisë tek kompania Air Albania. Ndryshimi i pronarëve të koncesionit, kur kishte mbetet vetëm dhe një vit nga afati i përfundimit të kontratës sinjalizoi se qeveria kishte ndër mend ta zgjaste më tej koncesionin e markimit. Dhe në fakt kështu ndodhi.
Zyrtarisht koncesioni i markimit të karburanteve duhet të kishte përfunduar në shtator të vitit 2023. Por vitin e kaluar qeveria vendosi ta zgjasë edhe me 1 vit tjetër koncesionin, deri në shtator të vitit 2024.
Kjo zgjatje e vogël u interpretua si një lëvizje e qeverisë për të fituar kohë dhe shumë mendonin se koncesioni do të rinovohej sërish edhe për 10 vite të tjera. Sidomos pas ndryshimit të pronarit dhe afrimit tek ky koncesion të biznesmenëve afër Edi Ramës. Por me sa duket, qeveria ka ndryshuar mendim dhe ministri i Financave ka urdhëruar transferimin e këtij shërbimi në shtet.