Klodian Tomorri
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria do të ndërtojë një infrastrukturë spektakolare në funksion të turizmit. Duke ju referuar përfundimit të rrugës Thumanë-Kashar, Rama përmendi se shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e dy akseve të tjera, atë Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier.
Po kështu qeveria synon që brenda muajit të tenderojë dhe dy segmentet e mbetura të Korridorit Turistik të vendit, ato nga Miloti deri në Murriqan për të lidhur kufirin nga Mali i Zi deri në Vlorë me një autostradë shpejtësie.
Përtej investimeve në rrugë, kreu i qeverisë tha se do të ketë projekte masive edhe në porte, aeroporte për të mundësuar që Shqipëria e vitit 2030 të ketë një ofertë turistike absolutisht spektakolare në aspektin e transportit, sa i përket flukseve që shkojnë drejt bregdetit.
Ndërtimi i infrastrukturës është më të vërtetë domosdoshmëri për të përballuar flukset e bumit turistik të vendit. Qeveria ka zgjedhur formën e koncesionit për ta realizuar këtë. Të gjitha segmentet e Korridorit Blu nga Shkodra në Vlorë janë tenderuar ose do të tenderohen me koncesion. Investimet në porte dhe aeroporte po ashtu janë koncesione private. Kjo shtron një pyetje. Kush do t’i financojë këto projekte? Dhe përgjigja e kësaj pyetje, është gjithçka përveçse e lehtë.
Tani dy llogari të thjeshta. I gjithë kapitali i sistemit bankar në Shqipëri është rreth 1.8 miliardë euro. Kuadri rregullator në fuqi përcakton se ekspozimi i bankave ndaj një kompanie ose grupi të lidhura kompanish nuk mund të jetë më shumë se 20 për qind e kapitalit rregullator. Me pak fjalë, edhe nëse të gjitha bankat shqiptare bëhen bashkë në formën e sindikatës ato nuk mund të kreditojnë një kompani të vetme më shumë se 360 milionë euro. Vetë disa nga projektet infrastrukturore të koncesionuara janë edhe më të mëdha se kjo shifër.
Për shembull, koncesioni i segmentit Kashar-Lekaj, i cili i është dhënë kompanisë Gjoka, kushton 474 milionë euro, ndërsa ai i Lekaj-Fier 320 milionë euro. Këto janë projekte që kërkojnë financime masive, të cilat do të kalonin përtej limiteve rregullatore të gjithë sistemit financiar. Por kjo nuk është e gjitha.
Një pjesë e bankave, veçanërisht ato me kapital të huaj duket se nuk kanë oreks për të financuar projektet koncesionare të infrastrukturës ose kanë kufizime nga qendrat e tyre për t’u përfshirë në to. Këto janë kryesisht bankat më të mëdha të vendit, ato që kanë dhe hapësirat më të mëdha për të financuar ekspozime në këto përmasa.
Bankat shqiptare edhe nëse do të kishin të gjithë vullnetin apo interesin do ta kenë praktikisht të pamundur për shkak të kufizimeve rregullatore, por edhe përmasave të vogla. Në këtë situatë dy janë risqet kryesore. Ose projektet do të mbahen peng nga kompanitë fituese për mungesë financimesh siç ndodhi me koncesionin e parë të Milot-Balldrenë, ose do të rritet presioni mbi sistemin financiar për të shkelur kufizimet rregullatore të huadhënies.
Të dy këto rreziqe kanë probabilitet të lartë materializimi. Në mos janë materializuar sakaq, padyshim do të materializohen shumë shpejt. Për sa kohë, qeveria apo tregu nuk do të ofrojnë një zgjidhje përtej kuadrit ekzistues.