29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ndërpreja e fondeve të BE/ Subvencionet në bujqësi përfundojnë në lëmoshë, qeveria jep 450 euro për fermer

Thuajse pas dy muajsh nga mbyllja e aplikimeve të fermerëve për subvencione në bujqësi, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka shpallur listat e aplikantëve të kualifikuar. Referuar të dhënave zyrtare nga ky institucion, në total janë 15.591 aplikime që kanë kaluar fazën e parë të përzgjedhjes për 7 masat e Skemës Kombëtare, apo rreth 89 për qind e aplikantëve totalë, duke përjashtuar mbështetjen me naftë për punime të mekanizuara në bujqësi.

Konkretisht numri më i lartë i fermerëve të kualifikuar i përket mbështetjes për blegtorinë, me 9285 aplikime në total për tufën bazë të matrikulluar, të imta dhe gjedhin.

Bletaria po ashtu ka pasur interes shumë të lartë ku janë kualifikuar 4223 aplikime. Ndërkohë, si një masë e futur për herë të parë, duket se interes të shtuar ka pasur edhe për bimët mjekësore, pasi kanë kaluar hallkën e parë 953 aplikime, ndjekur nga masa e mbështetjes për serat me 815 aplikime. Për masën mbështetje për fermat organike janë kualifikuar 169 aplikantë dhe për certifikimin global GAP 48 aplikantë.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, këtë vit skema Kombëtarë e Mbështetjes në Bujqësi regjistroi një numër total prej 71.537 aplikimesh, nga të cilat 54.255 ishinpër mbështetje me naftë dhe 17.282 fermerë interesuar për të përfituar nga masat e mbështetjes, ku 21 prej tyre ishin Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor dhe 1685 grupime fermerësh.

Ndërsa për aplikantët e kualifikuar për mbështetjen me naftë, ende nuk është publikuar lista përfundimtare. Risi për skemën e naftës, është përfitimi saj në vlerë monetare dhe jo me karta siç ka funksionuar vitin e kaluar.

Nga skema e subvencioneve përgjatë vitit 2023 përfituan 65 mijë fermerë, ndërsa këtë vit synohet të tejkalohet 70 mijë përfitues apo 77% të gjithë fermerëve të regjistruar në vend. Fondi fillestar i vënë në dispozicion është 32 milionë euro por pritet të rishikohet në vijim në varësi të kërkesave për mbështetje nga ana e fermerëve.

Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *