Prej disa muajsh profesionistët e lirë po kundërshtojnë regjimin e ri tatimor që rëndon mbi ta i cili llogaritet nga 15-23 për qind, me argumentin se është një taksim i padrejtë në raport me bizneset e vogla, i papërballueshëm për të vetepunësuarit si dhe më i larti në rajon.
Por si është kjo normë tatimore në raport me vendet e rajonit?
Konkretisht në Shqipëri, të vetëpunësuarit që kategorizohen si profesionistë të lirë, nga ky vit, sipas ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat, kaluan direkt nga një normë tatimore 0, në një normë tatimore progresive që fillon nga 15 për qind deri në 23 për qind të fitimit, në varësi të fitimit që ka akumuluar secili subjekt.
Referuar të dhënave të ALTAX, Kosova aplikon një normë tatimore prej 9 % mbi fitimin për profesionet e lira, dhe shtetet e tjera si Bosnje-Hercegovina, Mali i zi dhe Maqedonia e Veriut aplikojnë tatim në nivelin 10 % të fitimit për këto subjekte.
Ndërsa Serbia ka një normë tatimore nga 10-20 %. Pra nëse shohim këto shifra, Shqipëria aplikon nivelin në të lartë të taksimit në rajon për të vetëpunësuarit, pavarësisht sfidave më të cilat përballet, siç është trendi në rritje i emigrimit, mungesa e fuqisë punëtore, etj.
Por si llogaritet ky tatim në Shqipëri? Për tatimpaguesit me status ligjor Person Fizik, llogaritja e parapagimeve është kryer me normat progresive: 15% deri në masën e fitimit 14 milion lekë dhe 23% për çdo vlerë të fitimit mbi 14 milion lekë. Për tatimpaguesit me status të ndryshëm ligjor nga person fizik, pavarësisht përgjegjësisë së tyre tatimore, llogaritja e parapagimeve kryhet me normën 15% mbi fitimin.
29 mijë biznese në vend që kategorizohen tek profesionet e lira janë njohur me detyrimet e tatim fitimit që duhet të parapaguajnë në muajin Mars dhe sipas ligjit kanë afat deri më 30 Qershor për të likuiduar këstin e parë.
Scan TV