29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Hastoçi fiton kontratën 3.8 milionë euro për Parkun e Ulzës

Kompania Hastoçi është shpallur fituesja parapake në tenderin për ndërtimin e Parkut Natyror të Liqenit të Ulzës dhe zonave përreth tij. Në tenderin me fond limit 4.3 milionë euro u paraqitën 7 oferta, të cilat varionin nga 3.2 deri në 3.9 milionë euro. Por ministria e Turizmit përzgjodhi si fituese firmën Hastoçi, e cila ka ofruar që ta ndërtojë parkun me një kosto për buxhetin e shtetit prej 3.8 milionë euro.

Sipas dokumentave të publikuara nga Agjencia e Prokurimeve Publike, në garë u paraqitën 4 oferta më të ulëta se sa ajo e kompanisë Hastoçi. Kupa shpk, Ed Konstruksion, Fusha dhe Kthella ofertuan ta ndërtonin parkun me një kosto më të ulët, por ato u skualifikuan të gjitha, pasi sipas ministrisë së Turizmit nuk plotësonin kushtet teknike.

Diferencat e mëdha të ofertave me fondin limit, deri në 30 për qind, hedhin dyshime mbi mënyrën se si qeveria ka përllogaritur koston tavan të këtij tenderi. Edhe pse Hastoçi u shpall fitues me një ofertë që ishte 500 mijë euro më e ulët se fondi limit, në garë pati oferta deri në 1.1 milionë euro më pak se kjo vlerë.

Hera e dytë
Kjo është hera e dytë që ministria e Turizmit tenderon ndërtimin e parkut Natyror të Ulzës. Për herë të parë ky tender u zhvillua në shtator të vitit të kaluar. Në të u paraqitën 5 oferta, por ministria vendosi t’i skualifikojë të gjtha.

Ky vendim u ankimua në Komisionin e Prokurimeve Publike nga bashkimi i operatorëve “Fusha” SHPK & “Ulza” SHPK, por edhe ky organ vendosi të lërë në fuqi vendimin e ministrisë për skualifikimin e të gjitha ofertave dhe anullimin e tenderit.

Projekti për liqenin e Ulzës
Në dokumentet e saj qeveria pranonte se zona e Ulzës ka pasur investime private të shumta që tashmë duhet që shteti t’u përgjigjet me infrastrukturë dhe krijimin e elementëve shtesë që rrisin vlerën e rajonit.

“Në këtë kontekst në analizën hapësinore të projektit të zbatimit është identifikuar nevoja për ndërhyrje përmirësuese në pjesën e bregut të liqenit poshtë qytezës duke krijuar kështu një hapësirë të sistemuar dhe një shëtitore të përshtatshme me panoramën turistike liqenore.

Propozimi konsiston në krijimin e një shëtitoreje përgjatë të gjithë buzës së liqenit të kombinuar me mole për varkat apo për stacion për plazh.

Kjo strukturë do të funksionojë si elementi më dinamik turistik në qendrën e Parkut ku vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë nga afër liqenin por edhe të jenë pranë shërbimeve turistike të nevojshme” thuhej në dokument.

I njëjti nënvizonte se pjesa e investimeve është menduar të vijojë me qytetin e Ulzës ku do të zbatohet ndërtimi i një strukture për pritjen e vizitorëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *