25 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Turizmi nuk ndalet/ Hotelet shqiptare regjistruan 392 mijë netë qëndrime në Prill

Hotelet dhe strukturat shqiptare të akomodimit regjistruan rreth 392 mijë netë qëndrime në muajin prill të këtij viti duke raportuar një rritje prej 56.2 për qind krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Instituti i Statistikave raportoi se rritja më e madhe e netë qëndrimeve në hotele ka ardhur nga jo rezidentët, të cilët qëndruan në total 277.7 mijë netë në hotelet shqiptare. Krahasuar me prillin e vitit të kaluar kjo shifër është rritur me 80.3 për qind. Por edhe turistët e brendshëm kanë qëndruar më shumë në hotele këtë vit,  përkatësisht 114 mijë netë nga 96 mijë netë në prill të vitit të kaluar.  

Rritja e turizmit duket se vazhdon me ritme shpërthyese edhe këtë vit, teksa hotelet raportojnë më shumë netë qëndrime dhe më shumë të ardhura në bilancet e tyre. Vitin e kaluar, ekonomia shqiptare përfitoi 4.1 miliardë euro të ardhura nga udhëtimet, sipas Bankës së Shqipërisë, çka përbën rekord historik. Por tendenca e 4 muajve të parë të këtij viti sugjeron se kjo shifër do të tejkalohet, teksa numri i vizitorëve vazhdon të rritet me ritme dyshifrore.

“Gjatë muajit Prill 2024, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 62,0%, krahasuar me Prill 2023. Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 2.1 herë,” raporton INSTAT.

Rritja e vizitorëve në Shqipërinë Qëndrore sugjeron se tashmë nuk janë vetëm zonat bregdetare të vendit, të cilat po njohin rritje të flukseve turistike, por edhe kryeqyteti. Veçanërisht Tirana duket se po përballet me rritje të vizitorëve të huaj, të cilët duke shfrytëzuar çmimet e ulëta të biletave dhe të joshur nga marketingu pozitiv i Shqipërisë në tregun europian të turizmit, shpesh vizitojnë kryeqytetin shqiptare edhe për fundjava.

Por pavarësisht rritjes së vrullshme të netqëndrimeve, hotelet shqiptare kane performuar sërish vetëm me një të katrën e kapacitetit. “Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” ishte 24,5% këtë prill, kundrejt 16,8% që ishte në prillin e vitit të kaluar” raportoi INSTAT.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *