25 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Avancon ndërtimi i aeroportit të Vlorës, realizohen 40 për qind e punimeve

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civik, Maksim Ethemaj deklaroi se kompania koncesionare, që po ndërton aeroportin e Vlorës ka realizuar mbi 40 për qind të punimeve deri më tani.

“Aeroporti në vetvete është planizuar që të zhvillohet në tre faza. Kjo është faza e parë e zhvillimit, i cili do të shoqërohet pastaj, në bazë të numrit të pasagjerëve, në fazat e tjera. Kjo që shihet shoqërohet edhe me një proces koordinimi mes palëve. Aktualisht drejtoria e Aviacionit Civil, aeroporti, Dogana dhe Policia kanë filluar punën për përcaktimin e kërkesave, vendeve ku do alokohen me qëllim llogaritjen e stafit të nevojshëm. Punimet po ecin shumë mirë”, – tha Ethemaj.

Për inspektim në kantierin e aeroportit ishte edhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ajo tha se punimet fizike për aeroportin parashikohet që të përfundojnë në fund të këtij viti për t’i lënë më pas kohë proceseve të certifikimit dhe kolaudimit të këtij aeroporti..

“Fazat janë të definuara, se çfarë do të ndodhë në secilën fazë, pasi një njësi kaq e madhe e aviacionit civil, ku ka disa komponentë brenda, nuk ndërtohet e gjitha që në fazën e parë. Ashtu siç është edhe e planizuar në studimin e fizibilitetit ka disa faza për të avancuar me të gjithë procesin e ndërtimit të aeroportit deri në realizimin final të të gjithë volumeve të punës që ky aeroport do të ketë. Për këtë arsye edhe ne jemi të përgatitur sipas një kalendari dhe fazave që do të hedhim një nga një, por për fazën e parë, e cila do të jetë faza e hapjes të operimeve dhe e nisjes së disa nga sektorëve, ne jemi plotësisht gati”, – u shpreh Balluku.

Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës do të jetë i kategorisë 4E, me një pistë me gjatësi prej 3.2 kilometrash duke mundësuar edhe fluturimet transoqeanike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *