25 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria aktivizon Tirana DC/ Kompania e bashkisë do të ndërtojë banesa sociale tek Poli i Drejtësisë

Tirana DC, kompania e Bashkisë së Tiranës që deri tani ka harxhuar miliona euro para publike për rroga, qira dhe shpenzime të tjera pa dhënë asnjë produkt, duket se do të fillojë të ndërtojë banesa sociale. Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që shpall pasurinë 1/644 në zonën Kadastrale 8210 në Tiranë si zonë e përshtatshme për ndërtimin e banesave sociale.

“Me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi shpalljen e zonës, pasuria nr.1/644, zona kadastrale 8210, në pronësi të Bashkisë Tiranë, si zonë e përshtatshme për zhvillim, me qëllim ndërtimin e banesave sociale, si pjesë e fondit publik të banesave sociale, në pronësi të Bashkisë Tiranë,” thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Kjo pronë ndodhet në rrugën Beniamin Kruta, në vendin që njihet si ish fusha e aviacionit, ngjitur me Polin e Drejtësisë. Në vitin 2017, kjo pasuri iu kalua në pronësi Bashkisë së Tiranës. Ndërsa në tetor të vitit 2022, Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi ta kalojë atë në administrit të Tirana DC me qëllim zhvillimin e integruar të territorit, zhvillimin e potencialeve të pashfrytëzuara, si dhe rritjes së vlerës së pasurive të paluajtshme.

Tirana DC
Tirana DC u krijua në tetor të vitit 2020 si shoqëri aksionere me pronare 100 për qind Bashkinë e Tiranës. Kompania u krijua me qëllim që të hynte në biznesin e ndërtimit dhe atij të rindërtimit.

Por për katër vite rresht, kompania nuk ka kryer asnjë aktivitet ekonomik dhe vetëm ka shpenzuar paratë e taksave të qytetarëve. Sipas të dhënave nga bilancet zyrtare për vitet 2020,2021 dhe 2022, Tirana DC regjistroi një humbje progressive prej 183 milionë lekë ose 1.8 milionë euro. Tirana DC paguan aktualisht rreth 500 mijë euro në vit rroga për 35 punonjësit e saj. Paralelisht paguan 200 mijë euro të tjera qira në vit për një godinë diku në rrugën Bardhok Biba.

Përtej rrogave dhe qirasë së godinës Tirana DC paguan 55 mijë euro në vit qira dhe lizing për automjete, 50 mijë euro në vit trajnime profesionale dhe po kaq të tjera në vit për liçenca dhe softëare IT-je. Pra për katër vite Tirana DC vetëm ka humbur para sepse nuk ka patur asnjë aktivitet ekonomik. Deri më tani këto humbje të kompanisë janë mbuluar me kredi nga Bashkia e Tiranës.

Në vitin 2021, Bashkia e Tiranës i dha 970 mijë euro shoqërisë Tirana DC për të financuar aktivitetin dhe mbuluar humbjet. Në vitin 2022 Bashkia i dha dhe 1 milionë euro të tjera hua po për të financuar aktvitetin dhe mbuluar humbjet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *