Kompania gjermane Franz Kiel, e cila prodhon ulëset e pasagjerëve për trena dhe autobusë njoftoi hapjen e fabrikës së dytë të Maqedoninë e Veriut. Me një investim prej 9.2 milionë euro, fabrika e re punëson 150 punonjës dhe rrit kapacitetin prodhues të kompanisë në vendin fqinj të Shqipërisë.
Franz Kiel operon prej 8 vitesh në Maqedoninë e Veriut duke prodhuar sedilje për kompanitë e njohura të autobusëve dhe trenave. Por me fabrikën e re në zonën e lirë ekonomike të Tetovës, kompania gjermane, përvec rritjes së prodhimit, synon edhe zgjerimin e ciklit të aktiviteteve.
“Jemi krenarë që e kemi këtë investim shtesë në Maqedoninë e Veriut, sepse nuk është vetëm rritje e prodhimit ekzistues, por edhe zgjerim i fushëveprimit të operacioneve tona në fushën e saldimit, lyerjes dhe prodhimit të sfungjerëve. Kjo do të mbulojë të gjithë gamën e aktiviteteve të prodhimit të sediljeve të trenave në fabrikën tonë dhe është e sigurt që sedilja e plotë të quhet “made in Macedonia” dhe ne do të shndërrohemi në një qendër për sediljet e trenave nga projektimi deri te prodhimi në Kiel Group,” deklaroi Christian Strand, manaxhere e përgjithshme e Kiel Maqedonia.
Kompania parashikon që përmes fabrikës së dytë të sapo inauguruar në Tetovë të eksportojë 160 milionë euro gjatë dekadës së ardhshme.