Zyra Europiane Kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) ka zbardhur sistemin kapilar të korrupsionit me grantet e fermerëve, pas hetimit që çoi në ndërprejen e fondeve të BE-së për Shqipërinë.
“Pas një sërë hapash komplekse hetimore, përfshirë përdorimin e teknikave dhe kërkimeve shkencore dixhitale të dokumenteve të lidhura me marrësit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve,” thuhet në raportin vjetor të OLAF për vitin 2023
Por cilat ishin këto parregullsi? Sipas OLAF, fermerëve u merreshin në formën e rryshfetit pjesë të konsiderueshme të granteve përmes kompanive të konsulencës të përzgjedhura paraprakisht. Ndërkohë që në shumë raste përfituesit e fondeve përzgjidheshin me konkurse të manipuluara.
“Aplikantëve u kërkohej të paguanin një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre tek një kompani konsulence lokale. Në raste të tjera kontratat janë dhënë pa konkurrencë ose ose përmes një konkursi të manipuluar me oferta falsë, ndërkohë që në disa projekte u gjetën çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale,” zbulon raporti i OLAF. (Lexo raportin)
Hetimi i OLAF për Shqipërinë erdhi pas denoncimeve nga disa fermerë aplikues, të cilëve u kërkohej rryshfet për dhënien e granteve. Pasi hetimi i saj i vërtetoi këto denoncime, Zyra Kundër Mashtrimit Ekonomik vuri në lëvizje Bashkimin Europian.
“Pas hetimit, OLAF rekomandoi që Komisioni Evropian të konsiderojë një pjesë të financimit të Thirrjes së Parë dhe të Dytë për Aplikime IPARD II prej 33 milionë eurosh, si të papërshtatshme. OLAF rekomandoi më tej që BE të parandalojë 112 milionë euro të financimit të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë derisa të vendosen masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm,” thuhet në raport.
Por hetuesit e BE-së nuk e kanë lënë me kaq. Përveç ndërprerjes së fondeve ata kanë bërë edhe kallëzim penal.
“Nisur nga aktivitetet e mundshme kriminale të zbuluara gjatë hetimit, OLAF i dërgoi edhe një kopje të gjetjeve të saj autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë,” përfundon raporti. Por pavarësisht se ka kaluar më shumë se një vit, prokuroria shqiptare ende nuk ka vepruar për këtë çështje.
Hetimet
Hetimi i OLAF për fondet e bujqësisë në Shqipëri nisi në vitin 2021. Në mars të atij viti, hetuesit e OLAF zhvilluan një operacion blitz në zyrat e Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR-së duke sekuestruar kompjutera, dokumente si dhe prova të tjera në funksion të hetimit për shpërndarjen e granteve të bujqësisë.
Ministria e Bujqësisë nxorri një deklaratë të shpejtë në faqen e saj zyrtare duke e cilësuar aksionin si një kontroll rutinë, që bëhen shpesh nga Zyra e Investigimeve në BE. Por një orë më pas deklarata u fshi.
Në atë kohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, i kërkoi ish ministres Milva Ekonomi që të njoftojë urgjentisht SPAK për këtë investigim të OLAF.
Pas përfundimit të hetimeve, OLAF vuri menjehërë në dijeni Komisionin Europian dhe DG AGRI-n për abuzimet e gjetura me shpërndarjen e fondeve të bujqëisë në Shqipëri. Menjeherë sapo u njoh me këto gjetje, Komisioni Europian urdhëroi verën e shkuar pezullimin urgjent të fondeve të IPARD për Shqipërinë, masë që vazhdon të mbetet në fuqi.