Kryeministri Edi Rama është shqetësuar nga skema e mashtrimit përmes të cilës hajdutë ordinerë kanë zhvatur biznesmenë të ndryshëm duke imituar numrat e telefonave të zyrtarëve publikë. Viktimë e skemës kanë rënë edhe biznesmenë shumë të njohur në vend, të cilëve u janë marrë shuma të mëdha parash nga individë që u dërgojnë mesazhe duke pretenduar se janë ministra, kryebashkiakë apo zyrtarë të larta.
Në fakt, e gjithë skema e mashtrimit është në vetvete demaskimi më i madh i korrupsionit galopant të qeverisë dhe zyrtarëve të lartë publikë, pasi në një vend ku zyrtarët nuk kërkojnë para biznesmenët nuk do të mashtroheshin kaq lehtë nga mesazhet.
Pikërisht kjo duket se e ka shqetësuar së tepërmi kryeministrin, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, pasi kohët e fundit qarkullon një lojë mashtruese me kompjutera që imitojnë numrin e telefonit dhe për pasojë janë dëmtuar disa persona deri më sot.
Sipas kreut të shtetit, disa nga këto mashtues kanë përfunduar para autoriteteve përkatëse. Rama u bën apel qytetarëve të verifikojnë paraprakisht vërtetësinë e dërguesit nëse marrin mesazhe në emrin e personave publikë.
“Një lojë mashtruese me kompjutera që imitojnë numrin e telefonit ka dëmtuar disa persona deri më sot. Policia e Shtetit ka ndaluar dhe çuar para drejtësisë disa prej këtyre mashtruesve, të cilët kanë arritur të marrin para prej të dëmtuarve. Por ndërkohë që policia vazhdon punën e saj për identifikimin e të tjerëve, u sugjeroj të gjithë atyre që marrin mesazhe në emrin e personave publikë, të verifikojnë paraprakisht vërtetësinë e dërguesit, që të shmangin kurthin e kësaj loje kriminale,” shkruan Rama në reagim.