27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria miraton vendimin për rritjen e rrogave/ Mete: Me rritjen e re, paga mesatare në shtet kalon pragun 1 mijë euro në muaj

Duke filluar nga 1 korriku disa kategori punonjësish në administratën publike do të përfitojnë një tjetër rritje të pagesës mujore, duke bërë që paga mesatare në shtet të arrijë në nivelin e 105 mijë lekëve në muaj. Qeveria miratoi këtë të mërkurë vendimin, i cili rrit pagat për një spektër të gjerë punonjësish të shtetit.

“Përmes zbatimit të kësaj politike paga mesatare në sektorin publik synohet të arrijë në 105 mijë lekë. Pagat e rritura fillojnë të aplikohen në 6 mujorin e dytë të vitit, pra duke filluar nga 1 korriku, me një kosto të përllogaritur prej afro 11 miliardë lekësh për ketë 6 mujor të dytë të vitit dhe me një kosto totale buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh. Nga kjo politike përfitojnë: Punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar; Punonjësit e sistemit shëndetësor; Punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit; Policia e Shtetit; Policia e Burgjeve; Garda e Republikës; Forcat e Armatosura; Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi Si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore”.

Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave ka vendosur që në vijim të indeksojë pagat në administratë sipas normës së inflacionit.

“Gjithashtu, me ndryshimet ligjore të miratuara, parashikohet të realizohet indeksimi i të gjitha pagave në administratën publike me normën e inflacionit në fuqi, indeksim që do të realizohet në vazhdimësi çdo dy vjet, duke filluar nga viti 2026”.

Kjo është faza e dytë të politikës së rritjes së pagave, nisur nga qeveria në vitin 2023, nga e cila përfitojnë rreth 135 mijë punonjës te administratës.

Sa rriten pagat sipas kategorive?
Rritja e pagave do të jetë e ndryshme për punonjësit e administratës publike, teksa ministrat kanë detajuar shtesat, sipas sektorëve.

Për ushtarakët rritja varion nga 7-22%, ku më të favorizuar do të jena ata me grada më të ulta.

Për mësuesit rritja mesatare shkon në 18 mijë lekë, për mjekët 20 mijë lekë në muaj, ndërsa për infermierët 15 mijë lekë në muaj.

Rritje deri në 27 % do të përfitojnë edhe punonjësit e burgjeve, ndërsa për zjarrfikësit shtesa shkon deri në masën 30%.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *