27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Vodafone njofton rritjen e tarifave me 100 lekë

Kompania celulare Vodafone Albania njoftoi se do të rrisë tarifat e paketave celulare me parapagesë dhe me kontratë me 100 lekë në muaj duke filluar nga data 1 korrik, ndonëse paralelisht për disa nga këto paketa rritet edhe sasia e internetit që u ofrohet përdoruesve. Sipas njoftimit, tre paketat kryesore me parapagesë ndryshojne emërtesën dhe do të kushtojnë tashmë 100 lekë më shumë në muaj.

Paketa 30 ditore me parapagesë Vodafone Easy riemërtohet në Vodafone Go dhe çmimi për këtë paketë rritet nga 1000 lekë në 1100 lekë. Vodafone bëri të ditur se sasia e minutave dhe mesazheve të shkruara të paketës do mbetet e pandryshuar, respektivisht 300 minuta dhe 300 SMS. Por ajo njoftoi se për këtë paketë rritet sasia e internetit nga 1 GB që është aktualisht në 2 GB.

Paketa e dytë që pëson rritje çmimesh është Vodafone Advance. Kjo paketa tashmë do të quhet Vodafone Run dhe çmimi për të rritet në 1600 lekë nga 1500 lekë që është tani. Paketa mbetet me të njëjtat sasi minutash, SMS-sh dhe interneti, përkatësisht 2 mijë minuta komunikim, 2 mijë SMS dhe 10 Giga internet.

Paketa Vodafone Max ribrandohet në Vodafone Run. Kompania tha se tarifa mujore për këtë paketë rritet 2000 lekë që është aktualisht në 2100 lekë. Paketa do të vazhdojë të mbajë të njëjtën sasi minutash dhe sms-sh, por sasi e internetit të saj ulet nga 30 në 20 giga. .

Paketat me kontratë

Rritja e tarifave do të prekë edhe paketat e numrave me kontratë. Shërbimi Vodafone Next Easy ndryshon në Vodafone Next Go. Tarifa mujore për këtë paketë shkon në 1 mijë lekë nga 900 lekë që është aktualisht, por Vodafone do t’u ofrojë përdoruesve tre herë më shumë internet, nga 1 GB në 3 GB.

Paketa Vodafone Next Advance emërtohet në Vodafone Next Go. Tarifa mujore e kësaj paketë rritet nga 1400 lekë në 1500 lekë. Sasia e minutave dhe SMS-ve mbetet e pandryshuar. lirse sasia e internetit rritet me 50 për qind duke arritur në 15 GB në muaj.

Vodafone Next Max ndryshon në Vodafone Next Fly. Për këtë paketë çmimi mujor rritet nga 1900 në 2 mijë lekë dhe njësitë e komunikimit mbeten të gjitha të pandryshuara.

Pas disa vitesh humbje, tregu celular iu rikthye bilanceve pozitive vitin e kaluar, ku dy kompanitë celulare regjistruan nga një fitim të lehtë. Sipas informacionit të raportuar në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për vitin e kaluar Vodafone Albania arriti një fitim neto në vlerën e 549 milionë lekëve, ndërkohë që vitin 2022 e pati mbyllur me një humbje neto prej 30 milionë lekësh.

Një fitim më të vogël ka raportuar operatori i dytë One Albania, por që gjithashtu e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin krahasuar me një vit më parë. Sipas AKEP, One Albania e mbylli vitin 2023 me një fitim neto në vlerën e 70 milionë lekëve, ndërkohë që për vitin 2022 kishte raportuar një humbje prej 469 milionë lekësh.

Në total, dy operatorët celularë fituan 619 milionë lekë vitin e kaluar, ndërsa viti 2022 ishte mbyllur me humbje neto në vlerën e 499 milionë lekëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *