Autostrada Thumanë-Kashar është përfshirë nga trafiku kilometrik paraditen e kësaj të hëne teksa radha e automjeteve ka arritur deri në 10 kilometra. Shkaku i trafikut të rënduar mendohet të ketë lidhje me aplikimin e pagesës, raporton Voxnews.
Radha e mjeteve fillon nga dalja e autostradës në afërsi të Rinasit e deri në afërsi të fshatit Larushk.
Sportelet nuk janë në gjendje të përballojnë fluksin e madh të mjeteve që përshkojnë këtë aks nga veriu në drejtim të Shqipërisë së mesme.
Situata problematike është denoncuar në rrjetet sociale nga deputetja demokrate Greta Bardeli.
“Mirë që duhet të paguajnë tarifën e autostradës Thumanë -Kashar, por qytetarët e ardhur nga rajonet e veriut dhe Kosova duhet të rrijnë dhe në radhë për të paguar.
Rreth 10 km për turpin e radhës”, shkruan Bardeli në komentin bashkëngjitur videos.
Situatë problematike në qarkullim ka qenë edhe gjatë mbrëmjes së të dielës, ku sërish radha e automjeteve ka qenë kilometrike, duke shkaktuar vonesa të mëdha në oraret e lëvizjeve së qytetarëve shqiptarë që janë të detyruar të përdorin në këtë segment rrugor për destinacionet e tyre.