27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kalimi në Thumanë Kashar konvertohet në 270 lekë/ Koncesionari pezullon përkohësisht pagesën pas bllokimit të trafikut

Në autostradat me pagesë kursi i euros me lekun duket se punon gjithmonë kundër qytetarëve. Ashtu si në rastin e rrugës Durrës-Kukës, edhe në Thumanë-Kashar pagesa prej 2.53 eurosh së bashku me tvsh-në, për cdo automjet me 5 vende, është konvertuar në 270 lekë.

Sipas kontratës, kompania koncesionare e konverton pagesën duke iu referuar kursit mesatar të këmbimit mes euros dhe lekut për vitin e mëparshëm, ku monedha europiane u këmbye me 106.8 lekë. Rrjedhimisht pagesa prej 2.5 eurosh me TVSH është konvertuar në 270 lekë.

Ndonëse lëvizja në autostradën Thumanë Kashar ka filluar që në datën 30 qershor, sot kompania koncesionare nisi aplikimin e pagesës. Autostrada Thumanë-Kashar ka alternativë kalimi rrugën ekzistuese, pasi ajo shtrihet në një gjurmë të rë. Por edhe pse kalimi në këtë autostradë nuk është i detyrueshëm, një pjesë e qytetarëve, të cilët kanë zgjedhur të lëvizin nga kjo rrugë kanë shprehur pakënaqësi sa i përket tarifës që duhet të paguajnë prej 270 lekësh.

Sipas tyre, kjo është një tarifë që shumë e lartë krahasuar me të ardhurat, por duke patur parasysh edhe çmimin e lartë të karburantit.

Megjithatë nisja e kalimit me pagesë nuk shkoi ashtu sicc duhej. Pamundësia e sporteleve të pagesës për të përballuar fluksin e lartë të automjeteve krijoi një radhë trafiku prej 10 kilometrash nga dalja e autostradës në afërsi të Rinasit e deri në afërsi të fshatit Larushk.

Pas bllokimin prej disa orësh, kompania koncesionare Gener 2 njoftoi pezullimin e pagesës dhe rikthimin e kalimit pa para derisa sistemi të ri testohet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *