Menjhëherë sapo ka zbritur në Rinas duke u kthyer nga Mynihu, biznesmeni Gazmend Haxhia është ndaluar nga Policia e Shtetit. Ndaj tij, GJKKO ka dhënë masën e sigurist “arrest në shtëpi” për shkak të skandalit me fondet e SASPAC.
Biznesmeni Gazmend Haxhia është njeriu simbol i konferencës së famshme të turizmit, e cila çoi pas hekurave ish kreun e SASPAC, Ilir Beqaj dhe vartësit e tij. Pasi mori dy herë paratë për të organizuar të njëjtën konferencë, një herë nga ministria e Turizmit dhe një herë nga SASPAC, zoti Haxhia ka qenë dhe pjesë e panelit si moderator ku ka dhënë mendime se si duhej zhvilluar turizmi strategjik dhe i qëndrueshëm në Shqipëri.
“Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “Landways International” sh.p.k me Ortak e Administrator personi nën hetim Gazmend Haxhia,” thuhet në dosjen e SPAK.
GJKKO ka dhënë masën “arrest me burg” për Ilir Beqajn, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikollën, ndërsa është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për biznesmenin Gazmend Haxhia dhe menaxherin e futbollistëve Elton Marini.