27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rënie mbi rënie/ INSTAT: Bujqësia në rrokullimë të pandalshme, thellohet kriza e prodhimit

Pasi shënoi vitin e kaluar rënien më të madhe në tre dekada, bujqësia është tkurrur sërish në tremujorin e parë të këtij viti, madje më ritme edhe më të thella.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se në tre muajt e parë prodhimi bujqësor në vend u ul me 1.73 për qind krahasuar me një vit më parë, duke thelluar rrokullimën e pandalshme të këtij sektori.

“Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit shënoi rënie prej 1,73%, i ndjekur nga Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit i cili shënoi rënie me 1,05% në terma vjetor,” raportoi INSTAT.

Për vitin e kaluar, prodhimi bujqësor i vendit u tkurr me 0.68 pikë përqindje duke shënuar rënien më të madhe në dekada. Por viti i kaluar ishte kulmi i një serie të gjatë stanjacioni të bujqësisë, i cili ka nisur 10 vite më parë.

Tendenca rënëse e ritmeve të rritjes filloi që nga viti 2013. Në 10 vitet e fundit, bujqësia është rritur mesatarisht 1%, teksa rezultati është dobësuar tre vitet e fundit për t’u kthyer negativ më 2023.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se rënia më e madhe ka ndodhur në sektorin e blegtorisë dhe në mbylljen e fermave të vogla, ngastrave për vetë-konsum.

Pakësimi i popullsisë në fshat nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm, në njërën anë, dhe mungesa e subvencioneve shtetërore, në tjetrën, e kanë përkeqësuar klimën në sektor.

Rënie dramatike e blegtorisë
Numri i gjedhëve në Shqipëri u përgjysmua në periudhën 2015-2023, teksa vendi po zbrazet jo vetëm nga njerëzit, por edhe kafshët. Instituti i Statistikave raportoi se vitin e kaluar numri i gjedhëve në shkallë vendi zbriti në 263 mijë gjithsej nga 506 mijë që ishin në vitin 2015.

Sipas të dhënave historike të INSTAT, numri i gjedhëve në Shqipëri bie mesatarisht me 30 mijë krerë në vit dhe mandati i tretë i Rilindjes mund të rezultojë fatal duke sjellë shfarosjen totale të tyre. Por gjedhët nuk janë lloji i vetëm i kafshëve që po shfarosen. Numri i të imtave po ashtu u ul me 1 milionë krerë në 8 vitet e fundit, ndërkohë që shpendët u pakësuan me 1.5 milionë krerë.

Sektori i blegtorisë ka hyrë në një periudhë tkurrje drastike, e cila shkon në kufijtë e shfarosjes, Pavarësisht propagandës së qeverisë për rritjen e mbështetjes për fermerët, rrokullima e blegtorisë nuk ndalet.

I vetmi tregues që rezistoi më shumë në sektorin e blegtorisë ishte numri i njëthundrakëve, veçanërisht gomerëve, i cili deri në vitin 2021 kishte një rënie relativisht të vogël. Por pas këtij viti edhe njëthundrakët kanë hyrë në cikël shfarosje. Praktikisht një situatë e ngjashme me murtajën, që po shfaros çdo gjë.

Kjo rënie dramatike e numrit të kafshëve ka bërë që prodhimi i qumështit në vend të bjerë në mënyrë drastike, nga 970 ton në vitin 2022, në 900 ton në 2023, po ashtu edhe prodhimi i mishit peshë e gjallë ka rënë në 135 mijë tonë, nga afro 140 mijë tonë të prodhuara në 2022.

Përkundër kësaj, pavarësisht rënies së numrit të shpendëve, rendimenti i tyre duket se ka qenë më i lartë për shkak se është rritur numri i vezëve të prodhuara me 128 milionë kokrra vezë, duke regjistruar një total prej në 894 milionë korra në 2023-shin, dhe nga ana tjetër është rritur dhe prodhimi i mjaltit me 300 tonë, duke u regjistruar në 5600 tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *