Hapja e autostradës Thumanë-Kashar, e cila do të kalohet përkundrejt pagesës 2.53 euro për automjetet e zakonshme ka çelur debatin mbi nivelin e tarifave të rrugëve në Shqipëri. Kapitali liston të gjitha rrugët me pagesë në 6 vende të Ballkanit për të krahasuar se sa paguajnë shqiptarët në raport me fqinjët e tyre.
Maqedonia e Veriut
Maqedonia e Veriut ka aktualisht 4 akse, të cilat kalohen me pagesë. Ato janë Shkup-Gjevgjeli, Shkup-Kumanovë, Shkup-Gostivar dhe Shkup-Kadrifakovo.
Shkup-Gjevgjeli është një autostradë e tipit A1 me gjatësi 123 kilometra. Pagesa e kalimit në këtë rrugë është 360 dinarë ose 5.84 euro. Mesatarisht kalimi në këtë rrugë u kushton qytetarëve të Maqedonisë së Veriut 4.7 cent të euros për kilometër. Pak a shumë ky rezulton të jetë raporti edhe për rrugët e tjera me pagesë të këtij vendi, të cilat jepen në tabelën më poshtë.
Pra kosto e kalimit të rrugëve në Maqedoninë e Veriut varion nga 2.3 cent të euros për kilometër deri në 12.1 cent të euros, me mesataren e të gjithave në 6.5 cent të euros për kilometër.
Greqia
Fqinji jugor i Shqipërisë aktualisht applikon pagesa në 8 akse rrugore, ku më i gjati është ai nga Tipia në Komotini prej 563 kilometër dhe kushton 20.6 euro.
Edhe në Greqi tarifat mesatare të kalimit në rrugë variojnë nga 3.87 cent të euros për kilometër deri në 9.8 cent të euros për kilometër, me autostradën Kallamatë-Koritho, që mban rekordin si ajo me tarifat më të larta.
Kroacia
Kroacia aplikon pagesë në 4 akse rrugore, të cilat kanë një gjatësi totale prej gati 1 mijë kilometër. Në Kroaci, pagesa më e lartë aplikohet në rrugën Trakoshan-Split me 24.8 euro.
Edhe në Kroacia pagesat e kalimit në rrugë variojnë nga 5.6 cent të euros për kilometër deri në 6.8 cent të euros për kilometër.
Bosnja
Bosnja aplikon pagesa kalimi në katër akse rrugore. Aksi me i gjatë ndër to është ai që nis nga Sarajeva dhe përfundon në Zenicë, me një gjatësi totale prej 60 kilometrash.
Në Bosnje, pagesa për kalimin në rrugë varion nga 5.97 cent të euros për kilometër deri në 8.5.
Serbia
Serbia aplikon pagesa kalimi për 5 akse rrugore. Ndër to aksi më i gjatë është ai nga Beogradi në Preshevë me një gjatësi prej 354 kilometrash dhe pagesë 12.7 euro.
Në Serbi kosto e kalimit në autostrada duket më e njëtrajtshme se në çdo vend tjetër. Paralelisht Serbia rezulton të ketë dhe kostot më të lira të kalimit në rrugë me çmimin mesatar që varion nga 3.6 cent deri në 4.7 cent për kilometër.
Mali i Zi
Në Malin e Zi ka aktualisht dy akse, të cilat kalohen kundrejt pagesës. Ato janë tuneli i Sozinës, një tunel me gjatësi rreth 4.2 kilometër. Për këtë tunel automjetet e zakonshme paguajnë 2.5 euro ose 59.5 cent të euros për kilometër tunel.
Aksi i dytë është ai nga Bari në Boljare. Kjo autostradë e ndërtuar nga kinezët ka një gjatësi prej 165 kilometër dhe tarifë kalimi prej 3.5 eurosh me një tarifë mesatare prej 2.12 cent për kilometër.
Shqipëria
Në Shqipëri autostrada Thumanë Kashar ka një gjatësi prej 21 kilometrash. Për kalimin në këtë aks qytetarët do të paguajnë një tarifë prej 2.53 eurosh ose 12 cent të euros për kilometër rrugë.
Ncdërkohë një tjetër aks ku është parashikuar vendosja e trarit të pagesës është ai në tunelin e Llogarasë. Ky tunel ka një gjatësi prej 6 kilometrash dhe do të paguhet 5 euro. Nuk është e qartë nëse tarifa e lajmëruar prej 5 eurosh është me apo TVSH. Por edhe në rastin që është me tvsh, pagesa për këtë tunel shkon në 83.3 cent të euros për kilometër, dukshëm më i lartë se ajo në tunelin e Sozinës në Mal të Zi.
Krahasimi i të gjitha rrugëve në Ballkan tregon se shqiptarë paguajnë me shtrenjtë se të gjithë për të kaluar në rrugë. Madje edhe se grekët që janë shumë më të pasur se ta. Paralelisht, përveç pagesave të kalimit në rrugë, qeveria shqiptare i takson qytetarët me 32 lekë të reja për çdo litër karburant si taksë qarkullimi. Ky është një taksim i dyfishtë për të njëjtin objekt, qartazi një praktikë antikushtetuese.