Një bashkim i përbërë nga dy kompani shqiptare të quajtura Solar Park Gjorica dhe Info-Telecom shpk si dhe turkja Adame Global Enerji u përzgjodh si oferta më e mirë në ankandin hibrid të zhvilluar nga ministria e Energjisë për kapacitetet e reja të energjisë së rinovueshme.
MIE organizoi ankandin prej 300 MW, më i madhi i zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë me këshillimin dhe mbështetjen e Qeverisë Zvicerane përmes SECO dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Sipas formulës, kompanitë garuese marrin përsipër vetë sigurimin e tokës dhe investimit, ndërsa qeveria shqiptare garanton blerjen e energjisë me cmimin që rezulton nga ankandi.
Në ankand morën pjesë 9 konsorciume kombëtare dhe ndërkombëtare. Bashkimi i dy kompanive shqiptare dhe asaj turke paraqiti ofertën për të ndërtuar një park diellor me kapacitet të instaluar 35.6 MW, energjia e të cilit do t’i shitet shtetit kundrejt çmimit 39.7 Euro për MW/orë. Kjo ofertë u shpall fituesja e parë dhe mori dritën jeshile të zbatimit të projektit.
Solar Park Gjoricë dhe Info-Telecom sh.p,k janë dy kompani pjesë e grupit Gjonaj.
Me një portofol të diversifikuar biznesesh në fushën e bujqësisë, shërbimeve dixhitale dhe tregtimit të energjisë, tani ky grup po shndërrohet në një nga investitorët më të mëdhënj në ndërtimin e burimeve të energjisë së rinovueshme në vend.
“Ky projekt do të sjellë vlerë për zonën e veriut të Shqipërisë, si në ekonomi ashtu edhe tek qytetarët si konsumatorë fundorë, dhe njëherazi i përshtatet strategjisë së Qeverisë Shqiptare për eksport të energjisë në rajon. Ky është projekti i dytë madhor i Info-Telecom pas atij të Greennat Solar Pak në Ballsh,” deklaroi Marin Gjonaj, drejtor i përgjithshëm i Info-Telecom dhe kryesuesi i këtij konsorciumi.
Central diellor edhe në Mallakastër
Parku diellor i Gjoricës do të ndërtohet në fushën e Gjoricës në Dibër. Por ky është investimi i dytë i grupit Gjonaj në burimet e rinovueshme të energjisë.
Në nëtor të vitit të kaluar, grupi Gjonaj bleu shoqërinë GreeNNat Solar Park e cila zoteronte licensen prej 100 MW central fotovoltaik. Leja e ndërtimit për centralin me fuqi 100 mega u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtare të Territorit dhe Ujit.
Me të dy këto centrale diellore, grupi Gjonaj shkon në 140 mega kapacitet duke u fokusuar ne shtimin e portofolit per prodhimin e energjise nga burimet e rinovueshme. Gjithashtu, sipas burimeve zyrtare grupi Gjonaj, po investon ne prodhimin e energjise nga burime te rinovueshme ne Itali dhe ne Greqi duke qene se kompanite e grupit jane prezente ne keto shtete prej disa vitesh ne tregtimin e energjise elektrike.