Francisco Carrillo qau nga gëzimi teksa po shtrihej në krevat në apartamentin e tij të ri në Madrid, të ofruar nga një organizatë bamirëse, pas 3 vjet fjetje në kushte të vështira në një dhomë të vogël në pjesën e pasme të një teatri.
Pensionisti 62-vjeçar, zbuloi se nuk mund të përballonte çmimet e qirave në kryeqytet kur u zhvendos nga Jaen në Spanjën Jugore për t’u trajtuar për kancerin në fyt. “Sonte do të fle i qetë si një fëmijë!”- thotë ai. Carrillo është një nga rastet e shumta të spanjollëve që e gjejnë vetën në një situatë të ngjashme, midis mungesës së banesave sociale dhe rregulloreve që pengojnë qiratë afatgjata.
Situata është përkeqësuar nga një bum i prenotimeve për pushime në platforma të tilla si Airbnb dhe Booking.com, e cila javët e fundit ka nxitur një valë protestash në të gjithë vendin. Shkalla e të pastrehëve është rritur me 24 për qind që nga viti 2012 në 28.000 njerëz, sipas statistikave zyrtare.
Ndërsa sipas një raporti të Bankës Qëndrore të Spanjës, rreth 45 për qind e njerëzve që jetojnë me qira, janë të rrezikuar nga varfëria ose përjashtimit social, përqindja më e lartë në Europë. Të pastrehët janë rritur ndjeshëm në të gjithë Evropën gjatë dekadës së fundit, thekson në një raport Komisioni Evropian.
Por shtrirja e problemit në Spanjë, është disi e maskuar nga të rinjtë spanjollë që zgjedhin të jetojnë më gjatë me prindërit e tyre. Më shumë se 60 për qind e 18-34-vjeçarëve, jetojnë në shtëpinë e familjes, dhe midis viteve 2008-2022 Spanja kishte shkallën më të shpejtë të rritjes së numrit të të rinjve që jetonin me prindërit e tyre në mesin e ekonomive kryesore evropiane.
Stoku i banesave sociale në Spanjë është vetëm 1.5 për qind e totalit, krahasuar me një mesatare evropiane prej 9 për qind. Konkurrenca për apartamente me qira është shumë e fortë. Sipas faqes së internetit të specializuar në tregun e pronave, Idealista, rreth 40 persona i përgjigjen çdo njoftimi që del në treg në Madrid.
Plani aktual i qeverisë socialiste mbi banesat publike, parashikon ndërtimin e 184.000 banesave gjatë 3 viteve të ardhshme. Kryeministri Pedro Sanchez tha në maj, se synon që stoku i banesave sociale të përputhet me mesataren evropiane gjatë mandatit të tij që përfundon në vitin 2027.
Por Banka e Spanjës, vlerëson se për ta arritur këtë objektiv nevojiten edhe 1.5 milionë shtëpi të tjera. Sipas të dhënave zyrtare, ritmi prej 90.000 njësi të reja banimi në vit nuk është në normën e duhur në raport me rritjen e kërkesës, dhe shumë më poshtë shifrës prej 650.000 apartamentesh të ndërtuara në vitin 2008.
Ministrja e Strehimit, Isabel Rodriguez, tha të martën se qeveria ka nisur punën për një plan të ri për ta arritur këtë objektiv. Për të mbushur një pjesë të boshllëkut të krijuar lënë nga shteti, organizatat bamirësitë po i drejtohen kapitalit privat, edhe pse kjo zë vetëm një pjesë e vogël e asaj që kërkohet.
Apartamenti që iu dha Carrillo-s nga Mundo Justo (Botë e Ndershme) i përket Techo, një kompani e investimeve sociale, që ofron shtëpi me qira për organizatat bamirëse që punojnë me të pastrehët. Ajo doli në prill në bursën spanjolle me mbështetjen e 33 partnerëve të biznesit, përfshirë firmat globale EY dhe CBRE.
Techo zotëron rreth 230 banesa dhe bashkëpunon me 50 ojq, të cilat ofrojnë qira me një çmim 30 për qind nën normën e tregut. Për investitorët kjo është një mundësi për të siguruar një përfitim duke shtuar rezultatet e tyre mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG), thotë Blanca Hernandez, kryetare e fondacionit të investimeve tek pasuritë e paluajtshme.
Një organizatë tjetër bamirëse, Hogar Si, jep me qira 400 apartamente për të pastrehët. Dy vjet më parë, ajo nisi të kërkojë investitorë për të blerë disa nga këto banesa si një mënyrë për të ulur kostot. Josa Manuel Caballol, kreu i fondacionit Hogar Si, shprehet se kriza e strehimit kërkon një përzierje të nismave private dhe publike për qiratë sociale.
“Ne duhet të jemi shumë më ambicioze”- thekson ai. Edhe qytetet e mëdha si Madridi duhet të përballen me migrimin nga fshati drejt qendrave urbane ku janë vendet e punës, deklaron Diego Lozano, kreu i agjencisë së strehimit të qytetit. Rreth 48.000 njerëz, janë në listën e pritjes për strehim social në kryeqytetin spanjoll.
Lozano tha se qyteti po punon për gati 3-fishimin e stokut të banesave sociale në 15.000 deri në vitin 2030, megjithatë e pranon se ky numër nuk do ta përmbushë dot kërkesën. Ai fajësoi një ligj të miratuar kohët e fundit që mbron të drejtat e qiramarrësve, duke i lejuar njerëzit në nevojë që të qëndrojnë në një banesë deri në 2 vjet pa paguar qiranë, gjë që ai tha se kishte një efekt dekurajues tek pronarët që zakonisht preferojnë qiratë afatgjata.
Sipas tre ojq-ve të intervistat nga agjencia Reuters, pronarët po kërkojnë garanci për pagesën e qirasë nga qiramarrësit, të cilët nuk mund t’ua japin dot të varfrit. Të tjerët po kalojnë në tregun fitimprurës afatshkurtër që nuk ndikohet nga të njëjtat rregullore.
Oferta e qirave afatgjata ka rënë me 15 për qind në një vit, ndërsa qiratë afatshkurtra, kryesisht për turistët u rritën me 56 për qind brenda një viti nënvizon Idealista. Pensionistja Carmen Cajamarca, 67 vjeçe, mori një letër ku njoftohej se ka vetëm një muaj kohë për të lënë banesën e saj me qira në lagjen Lavapies të Madridit, pasi ndërtesa ku ajo jeton prej 25 vjetësh iu shit një kompanie argjentinase, që po rindërton apartamentet e saj për t’ua dhënë me qira turistëve.
Cajamarca thotë se nuk synon të largohet nga Madridi, dhe po e vonon për aq kohë sa të jetë e mundur zhvendosjen, pasi kërkon një shtëpi të re. “Kjo shtëpi është vetëm për turistët …
Po çdo të bëhet me njerëzit që kanë jetuar gjithmonë këtu? Ku do të jetojë ata?”- pyet ajo.
Kriza është aq e rëndë, sa që qytetet spanjolle po përpiqen të kufizojnë ose të heqin gradualisht praktikën e dhënies së apartamenteve për pushime. Në Cadiz, Eva Orihuela iu bashkua një lëvizjeje lokale për të ndaluar dhënien e banesave me qira për turistët, pasi nëna e saj 88-vjeçare Maria, u përball me dëbimin e menjëhershëm.
Për fat të mirë klubi lokal i futbollit ndërhyri duke ia blerë shtëpinë e saj për t’ia dhënë me të njëjtën qira. Orihuela është e qetë se nëna e saj do të vazhdojë të ketë një çati mbi kokë. “Por në udhëkryq e vështirësi ka shumë Maria të tjera”- paralajmëroi ajo./Përshtati Pamfleti nga “The Independent”