Akuzat e opozitës dhe jo vetëm për shndërrimin e ekonomisë në një kënetë financiare, ku vërshojnë masivisht paratë me origjinë kriminale, janë mohuar gjithmonë me forcë nga qeveria dhe veçanërisht kryeministri Edi Rama. Por me sa duket, familja kryeministrore ndan mendime të ndryshme për këtë çështje.
Një raport i UNDP i titulluar “Vlerësimi i Financës së Zhvillimit në Shqipëri” thotë se ekonomia shqiptare është ë përmbytur nga flukset e paligjshme financiare. Autorë të raportit janë Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë dhe Elena Polo. (Lexo raportin)
“Flukset e paligjshme financiare përbëjnë një sfidë të rëndësishme për Shqipërinë, veçanërisht në termat e efektit gërryes në burimet financiare private, integrimin e tyre në sistemin financiar, lidhjen me ekonominë e madhe informale dhe minimin e shtetit, demokracisë dhe institucioneve publike” thuhet në raport.
Autorët e raportit kanë kuantifikuar edhe përmasat e këtij problemi. “Sipas vlerësimeve të vitit 2020, flukset e paligjshme financiare përbëjnë një të pestën e ekonomisë shqiptare,” thotë raporti.
Pjese nga raporti i UNDP me autore Linda Rama dhe Elena Polo
Në vitin 2020, madhësia e ekonomisë shqiptare ishte rreth 16.5 miliardë euro. Kjo do të thotë se sipas vlerësimeve të raportit, 3.2 miliardë euro ishin flukse të paligjshme financiare me origjinë nga aktivitetet kriminale si trafiku i drogës, korrupsioni apo dhe evazioni fiskal.
Qeveria nuk e sheh problemin
Vërshimi i narkoeurove në ekonominë shqiptare është shndërruar në një nga problemet më të mëdha për ekonominë shqiptare duke ndikuar edhe parametrat makroekonomik të vendit si ecurinë e inflacionit, por edhe kursin e këmbimit. Pasojat e këtij fenomeni janë veçanërisht të dukshme në tregun e pasurive të patundshme, me me kullat që ngrihen në seri në qiellin e Tiranës dhe çmimet që i ndjekin nga pasa drejt majave të reja.
Por pavarësisht këtyre sinjaleve dhe denoncimeve të shumta nga opozita dhe ekspertë, autoritetet e kanë mohuar fenomenin e pastrimit masiv të parave në ekonominë shqiptare duke kundërshtuar edhe konkluzionet e publikuara në raportet e përvitshme të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Departamentin e Shtetit.
“Dini ndonjë vend të botës që nuk pastrohen para. Para pastrohen kudo, por ama është e pavërtetë që këtu në Shqipëri, pastrimi i parave është kaq masiv sa të flitet për 1.3 miliardë nga ndërtimi. Këto janë shifra të dala nga raporte të njerëzve anonimë që financohen herë nga një institucion herë nga tjetri, por nuk qëndrojnë. Këto dëmtojnë vendin tonë por nuk qëndrojnë. Unë nuk them që nuk pastrohen para por proporcionet nuk janë ato që thuhen,” u shpreh Rama në një interviste për gazetaren Erla Mëhilli në Euroneës.
Me sa duket, tani kryeministrit do t’i duhet të bindë jo vetëm opozitën dhe ekspertët se në Shqipëri nuk ka kriminalizim të ekonomisë, por edhe familjarët e tij.