Kryeministri Edi Rama ka mbajtur më në fund qëndrim publik për nismën e propozuar nga deputetja socialiste Blerina Gjylameti, që rikthen rivlerësimin e pasurive të patundshme me tatim të zbutur. Gjatë në një takimi me kryetarët e Bashkive, Rama deklaroi se në shtator tatimi për rivlerësimin e banesave do të bëhet 5% nga 15% që është aktualisht. Sipas tij, tatimi i zbutur do të jetë në fuqi deri në shtator 2025 dhe kjo është mundësia e fundit për të gjithë qytetarët.
‘Ne kemi bërë këtë proces dy herë. Nuk është proces që bëhet rregullisht sepse në thelb kjo është një amnisti. Por ka një kosto për buxhetin, pasi në momentin që bëhet rivlerësimi shmanget tatimi 15% mbi shitjet në vijim. Por duke qenë se e para rivlerësimi është bërë bazuar në faktin që nuk ishin referencat e reja sot me referencat mund t’iu japim të drejtë qytetarëve të kenë një shans të fundit. Fund shtatori me fund shtatori. Rivlerësimi i parë është bërë me 1%, i fundit do jetë me 5%,” tha Rama.
Por kreu i qeverisë paralajmëroi se ashtu sikurse ndodhi në Tiranë, do të rriten ccmimet e referencave edhe për qytetet e tjera, veccanërisht ato bregdetare.
“Është e rëndësishme të nisim punën për referencat e reja për qytetet e reja dhe jo vetëm për Tiranë. Vija bregdetare nuk është me çmime reference nga e shkuara. E kemi nisur punën, dhe do konkludojmë brenda 40 ditëve të ardhshme, do rindërtojmë një proces që rivlerësim të jetë i hapur,” tha Rama.
Kryeministri kërkoi edhe përshpejtimin e procesit të legalizimit, ku do të ketë një bashkëpunim mes Kadastrës dhe Bashkive. Nga ana tjetër, Rama u shpreh me tone të ashpra ndaj rritjes absurde të çmimeve nga bizneset në kulmin e sezonit turistik.
“Qeveria nuk vendos çmimet dhe nuk vendosin dot çmimet as të hoteleve as të restoranteve dhe nuk i kontrollojnë. Por ama në Vlorë, Ermal, në Sarandë Olt, ku janë edhe dy pikat e një rritjeje absurde të çmimeve është e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve dhe t’iu thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, mbase në kushtet e kapitalizmit nuk e perceptojnë, por është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë.
Më mirë syri se sa nami. Vlonjatëve u ka dalë dhe syri edhe nami edhe trutë nga vendi. Edhe nuk dinë se ç’bëjnë. Mirë që ta kuptojnë. Mbase me këtë gjuhë se mbase më tolerojnë mu a më shumë këto fjalë. Nuk ia kërkojmë të zbresin me këmbë në tokë por të paktën të zbresin në kat të dytë” deklaroi Rama
Midis tjerave kryeministri Rama theksoi se vitin tjetër do të ketë ndërhyrje dhe do të rishikohet hapësira publike në plazhe.