Klodian Tomorri
Kostoja e çertifikatës elektronike, që përdorin bizneset me detyrim, është më pak se 500 lekë. Por qeveria e shet atë 4 mijë lekë në vit, ose 8 herë më shumë se kosto.
Kostoja e pasaportave është më pak se 2 mijë lekë. Por qeveria ia u shet ato qytetarëve 5 mijë lekë.
Kostoja e një çertifikatë pronësie është rreth 200 lekë. Por Kadastra ia u shet qytetarëve 10 herë më shtrenjtë.
Këto krahasime mund të vazhdojnë pafundësisht, pasi thuajse të gjitha tarifat e shërbimeve publike që shteti u ngarkon qytetarëve dhe bizneseve janë disa fish mbi koston e tyre reale. Kjo e bën qeverinë padiskutim matrapazin më të madh në treg.
Por spekullantët nuk e kanë qejf konkurrencën. Ata duan që monopoli i zhvatjes të jetë vetëm i tyre. Meraku i kryeministrit se vlonjatëve dhe sarandiotëve u kanë fluturuar trutë e kokës me çmimet është thjesht dëshmia.
Megjithatë këtu nuk ka krahasim. Qeveria përdor forcën e ligjit për të zhvatur tregun me çmimet e saj abuzive. Shërbimet që ajo u shet qytetarëve me çmime disa herë mbi koston janë monopol ose më keq akoma monopole, që shesin produkte ose shërbime të detyruara me ligj. Kurse tregu i shërbimeve turistike operon në kushtet e konkurrencës ideale.
Teorikisht nuk ka forcë që mund të koordinojë të gjitha restorantet ose hotelet e Vlorës dhe Sarandës për të rakorduar çmimet. Thjesht nuk ekziston një e tillë. Ofruesit e këtyre shërbime konkurrojnë me njëri tjetrin, por jo vetëm kaq. Ata konkurrojë dhe me destinacionet e tjera. Ndaj çmimet që ata vendosin janë rezultat i pastër i forcave të tregut të lirë, ekuilibrit të kërkesës dhe ofertës.
Koncepti i çmimeve spekullative në një treg që operon në kushtet e konkurrencës perfekte nuk mund të ekzistojë. Sepse spekullimi dhe konkurrenca perfekte janë dy nocione të papajtueshme me njëra tjetrën.
Sigurisht që çmimet në tregjet konkurrenciale rriten. Por rritja e tyre është mekanizmi që e mban tregun në ekuilibrin optimal, i cili maksimizon përfitimet për shoqërinë. Për dy arsye. E para rritja e çmimeve parandalon mbishfrytëzimin e burimeve. Nga njëra anë qeveria thotë se është rritur turizmi me 80 për qind. Nga ana tjetër shqetësohet për rritjen e çmimeve. A ka marrëzi më të madhe se kjo?
Cili është ai treg që nuk i rrit çmimet nëse kërkesa rritet me 80 për qind? Dhe çfarë ndodh nëse çmimet nuk rriten? Për shembull, çfarë do të ndodhte me Ksamilin nëse çmimet nuk do të rriteshin? Si do të bëhej përzgjedhja se kush do të kishte të drejtën të pushonte në Ksamil dhe kush jo? Me llotari apo me dekret qeveritar?
Pra, rritja e çmimeve në këtë rast është e detyrueshme. E madje, ndonjëherë e pamjaftueshme për të ndalur mbishfrytëzimin e burimeve. Shikoni Kroacinë, Spanjën, Portugalinë.
Së dyti, çmimet janë mekanizmi që çon sinjalet për shpërndarjen efiçente të burimeve në treg. Sa më shumë rriten çmimet në Jug, aq më shumë investime do të ketë. Ky është një mekanizëm nga i cili përfitojnë të gjithë.
Ndaj qeveria mos të shqetësohet. Podin e matrapazit më të madh në treg nuk ja merr dot askush, sado që sarandiotëve t’u ikin trutë dhe vlonjatëve t’u plasin sytë. Ky është monopoli ekskluziv i saj.