26 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

ARRSH rishpall tenderin 12.5 mln euro për monitorimin e trafikut në rrugët kombëtare

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka rishpallur tenderin 12.5 milionë euro për fazën e dytë të Qendrës së Monitorimit të Trafikut. Kjo është hera e dytë që ARRSH shpall tenderin për këtë fazë, pas anullimit të tentativës së parë në prill të këtij viti.

Faza e dytë e projektit për monitorimin e trafikut në akset kryesore parashikon ngritjen e sistemit të monitorimit të trafikut në kohë reale për 213 kilometra rrugë në mbarë vendit. Akset e përzgjedhura për këtë fazë kanë një gjatësi totale prej 213.7 kilometrash. Më konkretisht ato janë:

Milot – Lezhë – Shkodër – Hani i Hotit me gjatësi 76.3 km
Levan – Tepelenë – Gjirokastër – Kakavijë me gjatësi 110.8 km
Orikum – Dukat (hyrja në tunel) me gjatësi 14.7 km
Tunel Llogara – Palasë me gjatësi 7.4 km
Palasë – Dhërmi me gjatësi 4.5 km

Përveç kësaj, në rastin e Tunelit të LLogarasë kontraktori privat duhet të ndërtojë edhe sistemin e stacioneve të mbledhjes së tarifës së rrugës në të cilin do të ndërtohen 6 stacione: 3+3 hyrje për secilin drejtim lëvizjeje.

Kjo është faza e dytë e projektit për implementimin e sistemit inteligjent të monitorimit të trafikut në rrugët kryesore të vendit. Faza e parë, që përfshinte 200 kilometra autostrada dhe rrugë kombëtare, u tenderua në vitin 2022 dhe aktualisht është në proces ndërtimi. Ajo parashikon monitorimin e trafikut në disa segmente kyçe si:
Segmenti Tiranë-Elbasan
Segmenti Kashar-Rinas-Vore
Segmenti Durres-Plazh
Segmenti Tiranë-Durrës
Segmenti Rrogozhine-Lushnje
Segmenti Kavaje-Rrogozhine
Segmenti Fier-Vlore
Segmenti Durres-Rrogozhine
Segmenti Kavaje-Rrogozhine

Projekti i plotë
Rrjeti Rrugor Shqiptar ka një gjatësi totale prej rreth 15,000 km. Rrjeti kryesor i rrugëve kombëtare është 3,400 km i gjatë dhe administrohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Me miratimin e Traktatit TCT dhe Kuadrit të tij Strategjik për zbatimin e ITS në korridoret TENT, Qeveria e Shqipërisë është ngarkuar të zbatojë Strategjinë dhe Sistemet e ITS për gjatësinë e rrjetit bazë/gjithëpërfshirës prej 784 km.

Përmes qendrës së Monitorimit të Trfikut do të bëhet e mundur që të monitorohen në kohë reale pamjet e gjendjes dhe lëvizjes në rrugë, regjistrimi i imazheve si dhe ruajtja e tyre.

Po kështu, ky sistem mundëson regjistrimin në kohë reale të mjeteve që lëvizin në rrugë, llogaritjen në kohë reale të treguesve të trafikut në pikat e kontrollit si dhe segmentet rrugore të monitoruara.

Për këtë sistemi do përllogarisë në kohë reale shpejtësinë mesatare, maksimale, fluksin e mjeteve në çdo pikë apo segment të monitorimit. Paralelisht sistemi mundëson parashikimin e ngarkesës së pritshme të trafikut për çdo segment dhe njoftimin nëpërmjet tabelave informative, në rrugë rreth problematikave (si në rastet e aksidenteve, bllokimeve në rrugë, rrezikut të rrëshqitjeve, etj..) që duhet të kenë parasysh drejtuesit e mjeteve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *