Fondi Shqiptar shpalli dy tendera të majmë me vlerë 14 milionë euro, të cilët nuk do të zhvillohen me garë të hapur, por do të jenë me procedurë të kufizuar. Të dy investimet janë pjesë e listës së projekteve prioritare të qeverisë shqiptare.
Tenderi i parë është ai për ndërtimin e Polit të ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Sigurisë Kibernetike. Ky tender ka një fond limit prej 6.7 milionë eurosh dhe parashikon ndërtimin e një korpusi godinash në Sauk, të cilat do të shërbejne si ambiente multifunskionale përgjithësisht me karakter zyrash për institucionet publike në fushën e IT-së.
Korpusi është projektuar nga studio arkitekturore I Ri, që zotërohet nga Gent Agolli. Kjo kompani është akuzuar publikisht si e lidhur me familjen e kryeministrit Edi Rama. Territori ku do të ndërtohen ambientet zë një hapësirë prej 9600 m2. Koncepti i projektit në bazë ka krijimin e ambienteve funksionale për zyrat dhe shërbimet që do të jenë pjesë e tij.
Tenderi i dytë i shpallur ditët e fundit nga FSHZH ka një vlerë limit prej 7 milionë eurosh. Objekti i kësaj kontratë është transformimi i infrastrukturës akomoduese në kampuset rajonale të arsimit profesional, në bashkinë Elbasan, Lushnje, Vlorë, Dibër, Shkodër, Kukës”. Edhe tenderi për rindërtimin e konvikteve të shkollave profesionale po ashtu do të jetë me garë të mbyllur.
Në fillim të këtij viti, Parlamenti miratoi një ligj të ri për Prokurimet Publike, qëllimi i të cilit ishte rritja e transparencës dhe konkurrencës në procedurat e prokurimit. Por FSHZH ka vendosur të prokurojë dhjetra milionë euro me gara të cunguara, të cilat krijojnë shtigje të mëdha për abuzime dhe korrupsion me paranë publike.