Bizneset e vogla dhe të mesme mund të përfitojnë kredi të pasiguruara nga Pro Credit Albania për të financuar investimet e tyre në teknologjinë e gjelbër. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim miratoi një hua të pasiguruar deri në 6 milionë euro për ProCredit në kuadër të Programit të rigjallërimit të qëndrueshëm të SME-ve.
Kjo nismë synon të japë nën-kredi për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri, duke rritur konkurrushmërinë e tyre dhe përputhshmërinë me standardet e Bashkimit Europian.
Kredia do të mbështesë investimet në teknologjitë e gjelbra, me të paktën 70% të saj që do të alokohet për teknologjitë e pranueshme GET (Tranzicioni i Ekonomisë së Gjelbër). Kjo lëvizje përputhet me qëllimet e Programit për të nxitur një ekonomi të qëndrueshme mjedisore, me karbon më të ulët dhe rezistente ndaj klimës.
PCBA, një filial i ProCredit Holding, është një lojtar kyç në kreditimin e SME-ve, financat e gjelbra dhe dixhitalizimin në Shqipëri, duke mbajtur një pjesë tregu prej 2.3% në totalin e aktiveve në fund të tremujorit të tretë të 2023.
Projekti është kategorizuar si FI (Ndërmjetës Financiar) sipas Politikës Mjedisore dhe Sociale të BERZH-it, duke kërkuar që PCBA të pajtohet me kërkesat specifike të performancës dhe të dorëzojë raporte vjetore në Bankë.
Bashkëpunimi teknik dhe financimi me grante do të ndihmojnë në zbatimin, marketingun dhe monitorimin e Programit, duke siguruar që investimet të përmbushin standardet e nevojshme teknike. Burimet e financimit përfshijnë Fondin Special të Aksionerëve të BERZH-it, Danimarkën, SECO, Norvegjinë, Luksemburgun dhe SHBA-në.