Shteti shqiptar do të prodhojë armë dhe municione në ortakëri me privatët. Zëvendësministri i Mbrojtjes Dorian Tola theksoi në Parlament se janë shqyrtuar tre modele për të parë se si do të nisë kjo industri, por më i përshtatshmi është gjykuar ai me Partneritet Publik Privat.
“Kemi bërë një diskutim të gjerë për të parë se si mund ta rifillojmë këtë industri dhe tre modelet janë logjike. Modeli i parë ishte shtet me shtet, 100% model shtetëror. Mund të ishte shtet me një shtet tjetër. Modeli tjetër është komplet privat. Dhe ai që është më i përshtatshëm është Partneritet Publik Privat. Është më i kontrollueshëm.
Ndërkohë, i pyetur nga deputeti socialist Erion Braçe, në lidhje me sigurinë, duke kujtuar Gërdecin, zëvendësministri Tola u shpreh se siguria do të jetë në bazë të kritereve strikte të Natos.
“Nga ana tjetër përsa i përket sigurisë, prioriteti ynë është që këto zona do të kenë garancinë e sigurisë duke u mbështetur në disa konsulta të vazhdueshme sipas rregullave strikte të NATO-s dhe në strategjinë e sigurisë kombëtare.”