26 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Hiqet tarifa e markimit të karburanteve/ Mete: Kostot e shërbimit do të përballohen nga buxheti, ulim edhe tarifat e pullave fiskale

Tarifa prej 7.3 euro që qytetarët shqiptarë paguanin në çdo 1 mijë litra karburant do të hiqet. Ministri i Financave Ervin Mete deklaroi në Parlament se me përfundimin e koncesionit të markimit, kostot e këtij shërbimi nuk do të paguhen nga qytetarët, por do të përballohen nga buxheti i shtetit.

“Në gusht të këtij viti, pra muajin tjetër, përfundon koncesioni i markimit të karburanteve dhe shërbimi kalon tek Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në momentin që ky koncesion do të përfundojë, ne kemi vendosur që edhe tarifa e aplikuar nga koncesionari të hiqet. Pra, nuk do të ketë vazhdim të aplikimit të tarifës së markimit tek qytetarët dhe bizneset. Kostot e vazhdimit të shërbimit do të përballohen nga buxheti i shtetit, njoftoi për herë të parë Ministri,” deklaroi Mete.

Shërbimi i markimit te karburanteve u ka kushtuar qytetarëve shqiptarë mesatarisht 4.7 milionë euro në vit, para të cilat i kanë paguar në çmimin fundor të naftës dhe benzinës. Por kreu i financave konfirmoi se qeveria do të shtetëzojë edhe koncesionin tjetër në fushën fiskale, atë të pullave.

“Specifikisht për dy koncensione ku autoritet kontraktues është Ministria e Financave, koncesioni për pullat fiskale dhe koncesioni i markimit të karburanteve, po ndiqen procedurat për mbylljen e tyre,” tha kreu i financave.

Sipas Metes për pullat fiskale bizneset do të vazhdojnë të paguajnë, por tarifat do të jenë më të ulëta nga ato të koncesionarit.

“Ky shërbim nga 1 Janari 2025 kalon në menaxhim shtetëror. Synimi ynë është që në momentin që ky shërbim kalon në menaxhim shtetëror të ofrohen tarifa më të ulëta se ato që aplikohen nga koncesionari, çka besojmë do të jetë lehtësi për komunitetin e biznesit,” tha Mete.

Në dhjetor të vitit të kaluar pranë Ministrisë së Financave, me urdhër të Ministrit, është ngritur një grup i gjerë pune, përfshirë edhe Avokaturën e Shtetit, për të menaxhuar procesin e daljes për këtë kontratë koncesionare dhe tani po ndiqen të gjitha procedurat, në mënyrë që duke nisur nga 1 janar 2025, prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale të bëhet nga një person juridik publik, i autorizuar nga Këshilli i Ministrave, që do të jetë Shtypshkronja e Letrave me Vlerë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *