28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Grant deri në 25 mijë euro nga shteti/ AIDA hap thirrjen për mbështetjen e SME-ve

Bizneset e vogla dhe të mesme mund të përfitojnë deri në 25 mijë euro para falas nga shteti nëse investojnë për përmirësimin e teknologjisë apo zgjerimin e aktivitetit të tyre.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve shpalli thirrjen për mbështetjen dhe zhvillimin e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme për vitin 2024 përmes Fondit për Zhvillimin e Ndërmarrjeve.

Skema mbështet zhvillimin e NMVM-ve duke synuar rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, inovacionin/rinovimin e teknologjisë, zhvillimin e artizanatit si dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse me qëllim nxitjen drejt eksportit dhe forcimin e aftësive të tyre lidhur me shërbimet dhe produktet për një treg të qëndrueshëm. Grantet janë të vlefshme vetëm për bizneset që operojnë në territorin shqiptar.

Ky fond ka dy skema mbështetje. Por bizneset e vogla duhet të hartojnë projekt -propozimet që do të paraqisin pranë AIDA-s në përputhje me kriteret dhe kushtet e veccanta të përfitimit për NMVM për vitin 2024.

Çfarë financohet?
Fondi për mbështetjen e ndërmarrjeve i financon bizneset e vogla dhe të mesme përmes dy skemave. Skema e parë është mbështetja financiare për zhvillimin e aktivitetit. Kjo skemë financon deri në 2.5 milionë lekë ose 25 mijë euro duke mbuluar 100 për qind të kostove në 6 zëra të ndryshëm.

Ato janë certifikimi i standardeve të prodhimit/shërbimit (përfshirë dhe konsulencën përkatëse, pjesëmarrja në trajnime për rritje kapacitetesh, pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare me stenda të gatshme, promovimi i markës përmes digjitalizimit, krijimi dhe ndërtimi i aplikacioneve dhe/ose platformave për e-Commerce.

Për këto zëra, kostot e biznesit mbulohen në masën 100 për qind. Ndërsa për zëri e përgatitjeve të materialeve promovuese, fondi mbulon 20 për qind të vlerës së projektit.

Ndërkohë, skema e dytë është ajo e mbështetjes financiare për investime. Kjo skemë financon bizneset e vogla dhe të mesme deri në 1.5 milionë lekë ose 15 mijë euro.

Në projektet për inovacionin mbulohen kostot për zhvillimin apo përmesirësimin teknologjik të produktit, blerja e aplikacioneve për shërbim klienti apo menaxhim të dhënash dhe blerja e paketave të ndryshme kompjuterike.

Në projektet për konkurrueshmërinë skema financon deri në 1.5 milionë lekë duke mbuluar kostot e blerjes së makinerive dhe pajisjeve të punës që ndikojnë në rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së produktit

Në projektet e startup-eve AIDA financon deri në 800 mijë lekë duke mbuluar blerjen e makineri pajisjeve si dhe blerjen e aplikacioneve ose programeve e-commerce.

Parlalelisht fondi financon edhe bizneset e artizantit po deri në 800 mijë lekë. Për këto biznese financohen blerja e makineri pajisjeve të punës tradicionale dhe asaj teknologjike si dhe blerja e aplikacioneve kompjuterike.

AIDA bën të ditur se thirrja për projekt-propozime do të qëndrojë e hapur 30 ditë kalendarike deri në 11 gusht. Projekt – propozimet e paraqitura nga bizneset e vogla dhe të mesme duhet të realizohen brenda vitit buxhetor që do të thotë se aktivitetet e propozuara duhet të zhvillohen brenda periudhës Tetor – Dhjetor 2024. Aplikantëve u lejohet të paraqesin VETEM 1(një) projekt – propozim në një nga drejtimet e thirrjeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *