27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Të papunët në Shqipëri, 70 për qind janë afatgjatë

Nga 10.9% që ishte shkalla e papunësisë në vitin 2022, në vitin 2023 u ul me 0.2 pikë përqindje, duke arritur në 10.7%. Gjatë vitit 2023, numri i të papunëve në Shqipëri është 158,801 persona, megjithatë të dhënat tegojnë se shkalla e papunësisë për të rinjtë vazhdon të mbetet e lartë.

Për grupmoshën 15-24 vjeç ky tregues është 25.6% dhe krahasuar me vitin paraardhës, shkalla e papunësisë për këtë grupmoshë u rrit me 0.7 pikë përqindje. “Scan Intel” është ndalur këtë herë në një tregues mjaft delikat sa i përket papunësisë në vend. Bëhet fjalë për normën e të papunëve afatgjatë, pra personat e papunë prej një viti a më shumë.

Sipas të dhënave të INSTAT, personat e papunë, prej një viti a më shumë, përbëjnë 71.2% të të papunëve gjithsej, ose rreth 113 mijë persona. Lajmi i keq është se krahasuar me vitin e mëparshëm, pesha që zënë të papunët afatgjatë në papunësinë gjithsej është rritur me 4.3 pikë përqindje.

Pra, megjithëse tregu i punës në disa sektorë po shfaq nevoja emergjente për punonjës, në krahun tjetër ka persona që kanë më shumë se një vit në kërkim të një pune dhe nuk e kanë gjetur një tillë.

Por ku na pozicionon kjo shifër mes vendeve të tjera të Europës?

“Scan Intel” ka kryqëzuar shifrat e INSTAT me ato të EUROSTAT, për të parë se si paraqitet norma e të papunëve afatgjatë për popullsinë 15 vjeç e lart. Me një normë prej 71.2% dhe 72.8%, të dhënat rendisin Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën si dy vendet me normën më të lartë të papunëve afatgjatë ndaj të paunëve gjithsej. Më pas ndjekin Sllovakia, Greqia dhe Italia.

Mesatraja e Bashkimit Europian vlerësohet në 35% për vitin 2023, ndërsa vemdet me normën më të ulët janë Islanda me 9.4%, Danimarka me 10.7% dhe Norvegjia me 13.2%.

Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *