28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

SPAK zbulon vilën e prindërve të Redi Mollës: U ble 300 mijë euro dhe u rikonstruktua nga “5D”

Një nga asetet e verifikuara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në lidhje me hetimet për dosjen “5D” është një pronë (vilë) e cila ndodhet në zonën e “Pazarit të Ri”.

Sipas hetimeve, kjo pronë rezulton të jetë në emër të prindërve të Redi Mollës, ish- drejtori i Ujësjellësit të Tiranës i arrestuar në lidhje me skandalin e korrupsionit dhe vjedhjeve përmes tenderave në Bashkinë e kryeqytetit. “Ora News” mëson se për rikonstruksionin e vilës është angazhuar pikërisht kompania 5D.

Sipas dosjes, rezulton se për pasurinë e mësipërme është lidhur kontrata e qirasë me datën 21 mars 2023 kundrejt një pagese prej 6 mijë eurosh në muaj për t’u përdorur për qëllime biznesi.

Mësohet se SPAK ka marrë në pyetje palën qiramarrëse, e cila ka deklaruar se vilën e ka marrë në gjendjë të rikonstruktuar dhe për pagesat kishte folur me Redi Mollën.

Shtetasja I. Sh, e cila ka marrë me qira objektin ka deklaruar se qiradhënësit janë: Selim dhe Ollga Molla, por që asnjëherë nuk i ka takuar.

Në pyetje është marrë dhe Klodjan Qypi, i cili ka treguar se vlera e vërtetë e vilës ka qenë 500 mijë euro, por për shkak se atij i duheshin paratë, ka pranuar ta shesë për vlerën 300 mijë euro.

Ai deklaron se e ka takuar vetëm një herë Selim Mollën, kur kanë parë vilën dhe janë dakordësuar për shitjen e saj, dhe se vila ka qenë thuajse e rrënuar.

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë rezultuar të dhëna që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se pasuritë e paluajtshme, të regjistruara në pronësi të Z. Selim Molla dhe Znj. Olga Molla janë përfituar pjesërisht me burime financimi nga shoqëria “5D Konstruksion sh.p.k.”, burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.

Po kështu, ka të dhëna se investimi që është kryer në lidhje me rikonstruksionin e objektit është financuar nga shoqëria “5D Konstruksion sh.p.k.”, ku pas kryerjes së këtij investimi, shifra e pasurisë është rivlerësuar në një çmim prej më tepër se dyfishi i atij të blerjes.

Sipas SPAK, Redi Molla dhe Mariglen Qato janë pronarë “de facto” të kompanisë “5D Konstruksion sh.p.k.”, me të cilën fitonin tenderat e Bashkisë së Tiranës. Ata kishin lënë administrator Nestor Muhametllarin me qëllim menaxhimin e firmës.

Nga të dhënat e grumbulluara nga SPAK, ka rezultuar se Nestor Muhametllari kujdesej edhe për të rezervuar biletat e ndeshjeve të futbollit për shefin e tij Redi Molla.

Kështu gjate hetimeve te këtij procedimi penal ka rezultuar fakti se nga këqyrja e telefonit të Nestor Muhametllari rezulton një email i datës 07.06.2023 dërguar nga adresa: noreply@uefa.com drejtuar adresës nestor10muhametllari@gmail.com me subjekt: “UEFA mobile tickets suçessfully transferred”.

Përmbajtja e këtij emaili është: “Hello, your ticket for Man City vs Inter Istambul has been transferred to Redi Molla (redimolla@gmail.com). Please bite that this ticket is no longer on your phone”

Pra, biletën e Redi Mollës për të shkuar në Stamboll për të ndjekur finalen e UEFA Champions Legaue, Manchester City-Inter, është rezervuar nga Nestor Muhametllari.

Aktualisht SPAK po kryen hetim pasuror për drejtorët e Erion Veliajt, teksa edhe për kryebashkiakun e Tiranës ka nisur një hetim pasuror, edhe pse deri më tani është toleruar nga SPAK duke mos u marrë i pandehur, si për inceneratorin, po ashtu edhe për dosjen “5D”.

Ora news

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *