Pak ditë më parë, Erion Veliaj njoftoi në mënyrë të beftë se bashkia e Tiranës ka kontraktuar dy kompani të huaja si konsulente për të përmirësuar kontrollin dhe qeverisjen e institucionit. Edhe pse mënyra se si janë kontraktuar kompanitë dhe kosto që do të paguajnë qytetarët e Tiranës për shërbimet e tyre mbeten sekret, kryebashkiaku zbuloi emrin e njërës prej tyre.
“Të gjitha vendimet në Bashkinë e Tiranës, mënyra se si punohet, procedurat e ndjekura, deri të mënyra se si kontrollohen dhe mbikqyren këto vendime dhe procedura po kalojnë në filtrin e një prej kompanive më të mëdha globale për mirëqeverisjen, britaniken “Delivery Associates”,” tha Veliaj.
Delivery Associates është një kompani britanike e themeluar nga Michael Barber, një ish bashkëpunëtor i ngushtë i ish Kryeministrit britanik, Tony Blair. Por zoti Barber nuk rezulton të jetë pronari i kompanisë, pasi pronarët e vërtetë të saj fshihen në Luksemburg.
Seri guaskash
Delivery Associates rezulton të jetë themeluar në dhjetor të vitit 2012, fillimisht me një tjetër emër. Kompania pasqyronte si pronar të saj fundor në regjistrin britanik të ndërmarrjeve, Michael Barber. Por në dhjetor të vitit 2022, në këtë regjistër u njoftua se Barber nuk ishte më personi me kontroll domethënës në kompani. Në vend të tij, si pronar i Delivery Associates u shfaq një tjetër kompani me emrin Driver Bidco Limited.
Edhe kjo kompani figuron e regjistruar në Londër. Sipas dokumentave, pronari i saj është një tjetër kompani, që quhet Driver Midco Limited, edhe kjo me seli në Londër. Teksa guaskat mbulojnë njëra tjetrën, zinxhiri i pronësisë së Delivery Associates fluturon në Luksemburg.
Sipas dokumentave të regjistrit anglez, Driver Midco Limited rezulton që të zotërohet nga një shoqëri e regjistruar në Luksemburg, e cila quhet Driver Topco Sarl. Këtu pronësia humbet gjurmët.
Pronari real që ka përfituar kontratën nga Erion Veliaj rezulton i fshehtë. Të paktën sipas letrave zyrtare. Por emrat e njerëzve që shfaqen në guaskat, të cilat fillojnë në Londër dhe përfundojnë në Luksenmburg, hedhin dyshime se pas kompanisë qëndron hija e ish kryeministrit britanik Tony Blair.
Zoti Blair ka marrë një sërë kontratash të majme nga maxhoranca socialiste në Shqipëri. Me gjasa edhe kontrata e bashkisë së Tiranës do të jetë po njësoj e majme edhe pse shifra e saj u mbahet sekret edhe këshilltarëve bashkiakë dhe nuk dihet nëse paratë do të paguhen nga vetë bashkia apo nga ndonjë fondacion i huaj.
Megjithatë, këtë herë lajmi nuk është vetëm se qytetarët shqiptarë do të paguajnë sërish miliona për Tonyn. Një tjetër zhvillim interesant është edhe fakti se Edi Rama e ka zbritur ish kryeministrin britanik në kategorinë e dytë duke ia lënë në patronazh Erion Veliajt. Sepse me sa duket tani në kategorinë e parë është vetëm Donald Trump, familja e të cilit po negocion me Edi Ramën për biznes në Sazan.